Siguria ushqimore, drejtori i AUV-it: Sfidë kryesore është numri i vogël prej 83 inspektorëve
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bashkë me Ministrinë e Bujqësisë dhe EFSA-në kanë organizuar një konferencë për sigurinë ushqimore në vend.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë Armend Muja i cili theksoi se bujqësia është sektori më i rëndësishëm i ekonomisë dhe si burim i të ardhurave për shumë fermerë në vend.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm çështje teknike ajo është kontratë mes shtetit dhe qytetarit. Është një marrëdhënie besimi që ndërtohet çdo ditë dhe është një investim që duhet ruajtur përjetësisht. Sepse pa siguri ushqimore nuk ka shëndet, pa shëndet publik nuk ka ekonomi të qëndrueshme dhe pa ekonomi të qëndrueshme e pa standarde nuk do të ketë integrim në Bashkimin Evropian. Bujqësia mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Është burim i të ardhurave për shumë fermerë në Kosovë. Sipas të dhënave të fundit, vlera e shtuar bruto e sektorit të bujqësisë në vitin 2025 ka arritur mbi 810 milionë euro. Kjo sipas meje tregon një zhvillim të rëndësishëm në Kosovë, një mundësi për fermerët, por mbi të gjitha edhe nevojën që të sigurohen standarde më të larta të sigurisë ushqimore. Kjo mundëson hapjen e shtigjeve të reja të eksportit për kompanitë tona. Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në vitet e fundit për sistemin e sigurisë ushqimore. Kemi siguruar financim të fushatave vaksinuese dhe kemi avancuar dukshëm në sistemin e gjurmueshmërisë. Megjithatë, duhet të jemi koshientë se ende jemi në një fazë të ndërmjetme të progresit sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore”, tha Muja.
E Drejtori i AUV-it, Bekim Hoxha tha se sfidë kryesore është numri i vogël i inspektorëve, i cili është 83 inspektorë.
“Numri i vogël i inspektorëve, 83 është shumë i vogël, Në raport me vendet e tjera të rajonit, po e marr Malin e Zi, i cili është tri herë më i vogël, i ka mbi 150 [inspektorë]. Maqedonia i ka 350. Bosnjë e Hercegovina i ka 550, e shumë vende të tjera. Unë e di që ne po ashtu i zëvendësojmë edhe me inteligjencën artificiale, por kishte me qenë e pamundur.Inspektori duhet me dalë në terren, duhet me pa, duhet me bë procesverbalin edhe duhet me konstatuar dhe me verifikuar gjendjen. Është e pamundur, po them jemi të gatshëm për me bë të pamundurën edhe numri i inspektorëve që e bëjnë punën, është një numër i madh i inspektimeve që bëhet brenda muajit. Madje shumica e tyre punojnë të shtunën, të dielën, vijnë edhe jashtë orarit”, tha Hoxha./Indeksonline/

