Siguronte kokainë për lokalet e Tiranës, bie në pranga një i ri
Një 19-vjeçar ka rënë në pranga të policisë, pasi siguronte kokainë, e ndante në doza dhe e shiste në lokale në zona me frekuentim të lartë në kryeqytet.
Në operacionin policor të koduar “Night” u sekuestrua edhe një sasi kokaine e ndarë në doza e cila iu gjet me vete të riut, në momentin e arrestimit.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që shiste lëndë narkotike kokainë, në doza, kryesisht në lokale nate, në rrugët: “Papa Gjon Pali II” dhe “Mustafa Matohiti”, specialistët e Seksionit për hetimin e narkotikëve finalizuan operacionin “Night”. Në kuadër të operacionit, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi G. V., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Indeksonline/

