07:51 / E Enjte, 25 Prill 2024 / mp

Siljanovska e Pendarovski në balotazh për president, Osmani del i treti

Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët votuan të mërkurën për të zgjedhur presidentin e vendit.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 19:00, ashtu siç ishte planifikuar. 

Komisioni shtetëror zgjedhor ka njoftuar se dalja e përgjithshme në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut ishte 48.46%.

Sipas mbi 97% të votave të numëruara, kandidatja e VRMO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska–Davkova mori dyfish më shumë vota sesa kundërkandidati i saj maqedonas nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.

Me numërimin e mbi 97% të votave,  Siljanovska Dalkoka ka marrë 40.19% të votave, ndërsa Pendarovski 19.99% të votave.

Të dy kandidatët do të përballen sërish me 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. 

Ndërkohë në taborin shqiptar, fitoi Bujar Osmani nga Fronti Evropian ndaj kundërkandidatit të tij shqiptar, Arben Taravari nga koalicioni VLEN.

Osmani doli i treti me radhë për nga numri i votave të përgjithshme me 13.36% të votave.

Të drejtë vote kishin 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758  votues ishin të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë Maqedoninë e Veriut.