Silvinho me dilema në sulm për ndeshjen me Serbinë

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Tiranë përpara ndeshjes së së shtunës kundër Serbisë në Leskovac.
Trajneri Sylvinho ka punuar me detaje me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion, duke hedhur bazat mbi formacionin që do të zbresë në fushën e lojës.
Si çdo herë, braziliani vendosi që t’i përziejë kartat në stërvitje, duke i mbajtur të gjithë të karikuar dhe të motivuar për duelin vendimtar.
Në prapavijë nuk pritet që të ketë surpriza në formacion dhe trajneri do të rreshtojë ekipin fitues ndaj Letonisë me Strakoshën, Hysajn, Ajetin, Gjimshitin dhe Mitajn.
Një fanellë titullari pritet që ta ketë Kristjan Asllani me Shehun, ndërsa Qazim Laçi do të jetë më i avancuar.
Dilemat më të mëdha janë në repartin e avancuar, ku Broja duket se e ka të sigurt vendin në krahun e djathtë. Në anën tjetër, Uzuni ka fituar terren në krahasim me të tjerët, por nuk përjashtohet mundësia që Bajrami të jetë titullar. Edhe në majën e sulmit, Daku me Manajn janë në balotazh me njëri-tjetrin.