16:55 / E Martë, 12 Dhjetor 2023 / MSH

“Simbol i lirisë”, Mahsa Amini pas vdekjes ndërohet nga Parlamenti Europian

Parlamenti Europian i dha sot çmimin “Zakharov” pas vdekjes iranianes Mahsa Amini, emri i së cilës është bërë “simbol i lirisë”.

Çmimi kryesor i Bashkimit Europian për të drejtat e njeriut iu dha 22 vjeçares iraniane, e cila vdiq nga dhuna e policisë më 16 shtator 2022, tre ditë pasi u arrestua nga policia morale.

Vdekja e saj shkaktoi muaj protestash kundër liderëve politikë dhe fetarë të Iranit dhe Mahsa Amini u bë simbol i luftës kundër kërkesës për të mbajtur shami. Shtypja e kësaj lëvizje shkaktoi qindra të vdekur dhe mijëra të arrestuar.

“Guximi dhe vendosmëria e grave iraniane në luftën e tyre për drejtësi, liri dhe të drejta të njeriut nuk do të ndalet. Zërat e tyre nuk mund të shuhen”, nënvizoi Metsola.

Çmimi Zakharov u dha dy ditë pas dhënies së çmimit Nobel për Paqen aktivistes Nargis Mohammadi, e cila nuk mundi të udhëtonte për në Oslo për ta marrë atë, sepse ndodhet nw burg nga viti 2021.