75 Mall Live Search
18:50 / E Mërkurë, 28 Dhjetor 2022 / Gj. Sh

Simeone: Unë jam problemi kryesor i Atleticos

Atletico Madrid rikthehet në fushë të enjten (29 dhjetor) përballë Elche në “Wanda Metropolitana”. Skuadra e Diego Simeones po përballet me vështirësi të shumta këtë sezon.

Aventura europiane përfundoi shumë herët, ndërkohë që tri ndeshjet e fundit në kampionatin spanjoll kanë prodhuar vetëm një pikë.

Fitorja ndaj Elche është detyrim, ndërkohë që trajneri Simeone nuk fshihet dhe bën autokritikë, duke marrë përsipër përgjegjësitë e “krizës” dhe duke hequr presionin nga lojtarët.

Kemi një kontingjent të pasur me katër lojtarë që luajtën në finalen e Kupës së Botës, ndoshta jam unë ai që nuk po jep maksimumin tek Atletico…

Kemi një skuadër të madhe, unë jam ai që duhet të përmirësohet në mënyrë që djemtë të rritin nivelin e tyre në La Liga. Janë pak a shumë të njëjtët lojtarë që fituan titullin, pa Suarez dhe Trippier.

Lojtarët janë, trajneri është ai që po dështon tek Atletico”, u shpreh “Cholo”, i cili drejton prej 11 vitesh skuadrën me të cilën luajti dhe fitoi edhe si futbollist.