Simiq rikthen narrativat e viteve ’90 gjatë fushatës: Kundërshtarët politikë i krahason me tradhtarë historikë
Kandidati i Listës Serbe për deputet, Igor Simiq, ka rikthyer gjatë fushatës zgjedhore narrativat nacionaliste dhe përçarëse të njohura nga vitet ’90-ta, duke i krahasuar kundërshtarët politikë me figura që në mitologjinë dhe historiografinë serbe konsiderohen tradhtarë.
Gjatë një tubimi elektoral, Simiq deklaroi se populli serb “i kujton të gjithë udhëheqësit, komandantët ushtarakë dhe politikanët që kanë ecur në këtë tokë”, për të vazhduar më tej me referenca ndaj figurave historike dhe mitike serbe.
“Ai kujton edhe Brankoviqët, edhe Jugoviqët, edhe Obiliqët, edhe Hrebeljanoviqët. Brankoviqëve nuk u kemi ngritur kurrë përmendore, ndërsa Obiliqëve po. Kurrë nuk i kemi kujtuar dhe kënduar atyre që janë larguar nga rrënjët e tyre. Kjo është një betejë për të gjithë ata që kanë ikur – që të kthehen, sepse vetëm këtu janë në shtëpinë e tyre! Nesër duhet të jemi të mençur”, ka deklaruar Simiq.
Deklaratat e tij duken si një përpjekje për të stigmatizuar kundërshtarët politikë dhe për të mobilizuar elektoratin përmes narrativave historike të ndarjes mes “patriotëve” dhe “tradhtarëve”, një diskurs që ka karakterizuar politikën nacionaliste serbe gjatë periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Në të njëjtin fjalim, Simiq ka pretenduar se aktivistët e Listës Serbe janë përballur me masa nga institucionet e Kosovës vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Ai falënderoi aktivistët e subjektit të tij politik për, siç tha, përkushtimin e tyre, duke pretenduar se “janë keqtrajtuar, legjitimuar dhe arrestuar jo sepse janë kriminelë, por sepse janë serbë të ndershëm që mbajnë me krenari flamurin e tyre trengjyrësh”, ka thënë Igor Simiq.

