75 Mall Live Search
21:48 / E Premte, 24 Shkurt 2023 / MSH

Sinani përshëndet vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve për vizitën e delegacionit të Luginës në Uashington

Këshilltarja Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani, është shprehur e lumtur me vendimin e Qeverisë për ndarjen e një buxheti që do të mbulojë shpenzimet e delegacionit nga Lugina për vizitën e tyre në Uashington D.C.

“Edhe një lajm i mirë për Luginën e Preshevës nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është miratuar ndarja e mjeteve për vizitën e delegacionit nga Lugina për në Senatin Amerikan” ka shkruar Sinani në Facebook.

Sipas saj, me këtë dëshmohet përkrahja dhe vendosmëria e Republikës së Kosovës, lidhur me Luginën.

“Me këtë dëshmohet edhe një herë vendosmëria e Republikës së Kosovës, për përfshirjen e Luginës së Preshevës në agjendën e bisedimeve për zgjidhjet e mëtejshme për Ballkanin Perëndimor nën frymën dhe parimin e reciprocitetit të të drejtave për pakicat në dy shtetet” shtoi Sinani.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua ndarja e mjeteve financiare për vizitën e delegacionit të Luginës së Preshevës në Uashington D C.

Me këtë vendim, Qeveria ka aprovuar kërkesën e Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për mbështetje financiare në vlerën prej 39,470.21 dollarë amerikan.