Sindikatа e punëtorëve të RTK-së paralajmëron protestë
Sindikatа e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës ka paralajmëruar protestë.
Ata kanë kërkuar që të zgjidhet me urgjencë çështja e pagave të punëtorëve.
”Aktualisht, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura, duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike.” thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Sindikatа e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës – SPERTK kërkon nga Kuvendi i Kosovës, partitë politike, si dhe të gjithë aktorët vendimmarrës në vend, po ashtu edhe nga Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së, që me urgjencë të zgjidhin çështjen e pagave të punëtorëve të RTK-së.
Në të kundërtën, SPERTK do të detyrohet të protestojë për të drejtat dhe pagat e merituara të punëtorëve të RTK-së, të garantuara me ligj.
Aktualisht, rreth 700 familje të punëtorëve të RTK-së kanë mbetur pa të ardhura, duke u përballur me detyrime të mëdha financiare dhe vështirësi jetike.
Në kohën kur në institucionet e shtetit po flitet për rritje pagash, punëtorët e RTK-së nuk i kanë marrë as pagat bazë që u takojnë ligjërisht.
RTK është pjesë e shtetit të Kosovës, dhe punëtorët e saj janë taksapagues të rregullt të këtij vendi. Prandaj, kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme institucionale për ta zgjidhur këtë situatë të padrejtë dhe të papranueshme.
Nëse kërkesa jonë nuk gjen zgjidhje në një afat të shkurtër kohor, SPERTK do të nisë protestat, të cilat më pas do të pasohet nga greva e përgjithshme, përfshirë bojkotimin e çdo ngjarjeje publike që zhvillohet në vendin tonë.
Kjo gjendje është e patolerueshme dhe ka mundur të parandalohet me një planifikim të përgjegjshëm institucional.

