Sindikata e Infermierëve: S’kemi nevojë për shetitje, një copë mish e birra, duam përmirësim të statusit e mirëqënies sociale

Sindikata e Infermierëve të Kosovës e ka konsideruar si joserioz paralajmërimin e U.D. të Kryetarit të FSSHK-së për veprime sindikale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, derisa në anën tjetër bëhen përgatitje për ekskurzion dikur gjatë muajit Maj.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës konsideron që infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor nuk kanë nevojë për shetitje, një copë mish të bardhë dhe një birrë “Kuqalashe”.
Ajo që infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor kanë nevojë është unifikimi dhe përpjekja në përmirësimin e statusit social, në përmirësimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike të komuniteteve tona” thuhet në reagimin e Sindikatës.
Sipas tyre, “Mishi I bardhë dhe birra nuk i rregullojnë këto çështje”.
“Është investimi, përgjegjësia dhe përpjekja serioze, dialogu social dhe gjetja e modaliteteve me institucionet, qoftë edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës që kërkesave të komuniteteve infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor t’u gjindet zgjidhje adekuate dhe afatgjatë” thuhet thutje në reagim.
Sindikata u ka bërë thirrje infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë që të mos u përgjigjen këtyre thirrjeve për shetitje, por atyre që kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punës, gjendjes sociale dhe asaj ekonomike.