75 Mall Live Search
09:54 / E Hënë, 07 Shtator 2020 / indeksADMonline

Sindikata e policisë – afat një javë Qeverisë për realizimin e kërkesave

Këshilli drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 04.09.2020 ka shqyrtuar situatën e krijuar dhe vazhdimin e pakënaqësive të shumta të pjesëtarëve të policisë, lidhur me mospërfshirjen në pakon emergjente (që është e përcaktuar me ligj), ku përfshihen tani mospagesa prej 300 eurove, mospagesa e orëve shtesë, mospagesa e shujtës dhe mospagesa e ndërrimit të natës sipas ligjit.

Duke e ditur dhe duke u bazuar në kushtet e vështira dhe në rrethanat në të cilat po vazhdon të punojë Policia e Republikës së Kosovës në këtë situatë pandemie, Sindikata e Policisë së Kosovës, fillimisht më 21.07.2020 u është drejtuar me një kërkesë urgjente kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti dhe ministrit të Punëve të Brendshme z. Agim Veliu me të cilin ka realizuar një takim, me qëllim të realizimit të kërkesave tona sindikale.

Pasi që Sindikata… e PK-së deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe veprim konkret drejt realizimit të kërkesave, nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Sindikata e Policisë përmes takimit të fundit të mbajtur më 04.09.2020 me Këshillin drejtues ka marrë vendim që:
T’ia rikujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se deri më 15.09.2020 t’i përmbushë kërkesat e cekura më lart, të cilat janë shumë simbolike në krahasim me faktin se policia po punon 12 orë pa pushim, duke tejkaluar të gjitha normat ligjore për punë, përfshirë punën jashtë orarit dhe pamundësinë e shfrytëzimit të pushimeve të plota.

Duke marrë parasysh kohën në të cilën po kalojmë në rrethana pandemie, Këshilli drejtues i Sindikatës së Policisë për momentin nuk insiston në këtë afat realizimin e kërkesave jetike siç janë: Sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionimin, Ligji i pagave etj, por kërkon që ato të realizohen në një kohë dhe rrethana më të përshtatshme nga Qeveria e RKS-së.

Këshilli drejtues i Sindikatës së Policisë i bënë me dije Qeverisë së Kosovës që në rast se, deri më 15.09.2020, nuk i përmbush kërkesat simbolike të potencuara në pjesën e parë të kësaj komunikate, atëherë Këshilli drejtues i Sindikatës së PK-së më 16.09.2020 , do të mblidhet në takim për të caktuar datën dhe modalitetin e veprimeve sindikale përfshirë protestën.
Sindikata e Policisë së Kosovës beson se Qeveria do ta marrë parasysh kërkesën emergjente dhe atë do ta trajtojë me prioritet drejt realizimit të saj, në mënyrë që të mos ketë nevojë që Këshilli drejtues i Sindikatës të marrë veprime të tjera përfshirë protestën./IndeksOnline/