75 Mall Live Search
15:27 / E Premte, 02 Maj 2025 / k.v

Sindikata e Policisë reagon ndaj raportimeve të papërgjegjshme: Mos e përdorni figurën e policit për sensacionalizëm

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar me shqetësim lidhur me mënyrën se si po raportohen rastet që përfshijnë pjesëtarët e Policisë, sidomos në raste tragjike apo incidente që janë ende nën hetim. Në një deklaratë publike, Sindikata thekson se ndjen obligim moral dhe institucional të reagojë për të mbrojtur dinjitetin dhe integritetin e pjesëtarëve të saj.

Sindikata ka dënuar ashpër deklaratën e gazetarit Branislav Krstiç, i cili në një medium vendor kishte mohuar vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023, gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Sipas Sindikatës, ky qëndrim përbën “fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit”.

Po ashtu, Sindikata ka dënuar përpjekjet për ta përfshirë rreshterin Muhamet Lika në teori konspirative lidhur me vrasjen e tij. Lika është vlerësuar si luftëtar i lirisë, pjesëtar i dalluar i Policisë së Kosovës dhe anëtar i përkushtuar i Sindikatës. “Këto përpjekje janë të papranueshme dhe përbëjnë tentativë për devijim të hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij”, thuhet në deklaratë.

Një tjetër pikë shqetësuese që ngrihet nga Sindikata është publikimi i pamatur i emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë në media dhe rrjete sociale, pa u përmbyllur proceset hetimore. “Kur një zyrtar policor më pas shpallet i pafajshëm, nuk ka reagim të njëjtë publik për të pastruar emrin e tij. Kjo ka krijuar ndjesi padrejtësie dhe pasigurie tek zyrtarët tanë”, thuhet më tej.

Në fund të deklaratës, Sindikata nënvizon se nuk synon të kufizojë lirinë e mediave, por kërkon përgjegjësi, etikë dhe kujdes në raportim. Ajo apelon që në rastet kur zyrtarët shfaqen në media pa bazë dhe më pas shpallen të pafajshëm, të bëhen demante publike me të njëjtin intensitet siç është shpërndarë lajmi fillestar.

“Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të çdo pjesëtari të saj dhe është gjithmonë e hapur për bashkëpunim me mediat që veprojnë me profesionalizëm dhe objektivitet,” përfundon reagimi.