75 Mall Live Search
20:18 / E Premte, 16 Janar 2026 / F.R

Sindikata e Policisë së Kosovës: Lajmërimet e rreme ndaj policisë duhet të ndëshkohen me kallëzim penal

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar lidhur me një rast të fundit në Leposaviq, duke theksuar se çdo lajmërim i rremë ndaj zyrtarëve policorë duhet të ndëshkohet sipas ligjit.

Në një njoftim për media, Sindikata ka përgëzuar punën profesionale të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili ka hetuar një ankesë të paraqitur nga një qytetar që pretendonte se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në afërsi të Urës së Bistricës në Leposaviq, më 13 janar 2026, shkruan IndeksOnline.

Sipas Sindikatës, pas analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zhvillimit të hetimeve përkatëse, IPK ka konstatuar se pretendimet e qytetarit nuk kishin bazë faktike dhe ligjore. Si rrjedhojë, ndaj ankuesit është ngritur kallëzim penal për lajmërim të rremë.

Sindikata e Policisë së Kosovës shprehet e bindur se, nëse IPK vazhdon të veprojë në mënyrë profesionale dhe ndaj çdo rasti të lajmërimit të rremë ngrihen kallëzime penale, do të ketë dukshëm më pak raste të tilla në të ardhmen.

Po ashtu, sipas Sindikatës, një qasje e tillë do të ndikojë pozitivisht në ndjenjën e sigurisë së punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët nuk do të ndihen të pambrojtur dhe do të kenë më shumë besim në punën e IPK-së.

“Në cilësinë e Sindikatës së Punonjësve të Policisë së Kosovës, konsiderojmë se kjo qasje e IPK-së është e domosdoshme si mburojë për çdo zyrtar policor dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e besimit në institucionet tona mbikëqyrëse,” thuhet në reagim./IndeksOnline/