75 Mall Live Search
12:27 / E Enjte, 18 Qershor 2020 / indeksADMonline

Sindikata e Postës së Kosovës, akuzon menaxhmentin për përhapjen e Covidit-19, në këtë ndërmarrje

Sindikata e Punëtorëve të Postës së Kosovës, ka akuzuar ushtruesin e detyrës së kryeshefit dhe bordin e kësaj ndërmarrje për mosmenaxhim të situatës me Covidin-19 në këtë ndërmarrje.

Sipas sindikatës papërgjegjësia totale e menaxhmetit të ri,  duke dhënë vetë shembull për mospërdorim të maskave, e ka sjell situatën deri në këtë pikë.

“Kjo fatkeqësi e tmerrshme ka ndodhur për shkak të papërgjegjësisë totale të menaxhmentit dhe Bordit të përkohshëm të drejtorëve, që nga koha kur ka filluar punën ky u.d. i kryeshefit ekzekutiv Salih Morina, jo vetëm që nuk janë zbatuar masat, kërkesat dhe sugjerimet e IKSHP-së dhe Qeverisë, por është bërë e kundërta. Këta zyrtarë të lartë edhe vetë kanë dhënë shembull duke mos përdorur maskat, as duke mos respektuar distancën fizike as minimalisht”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Ndërkaq, thuhet se infektimi i një numri kaq të madh të punëtorëve fatkeqësisht edhe anëtarëve të familjeve të tyre, i ka shokuar ata, meqë tani janë edhe dhjetëra persona të tjerë që vazhdojnë të qëndrojnë në ankth e presion psikik deri në marrjen e rezultateve.

Nga tërë kjo situatë e krijuar, sindikata kërkon që të dorëhiqet menaxhmenti dhe bordi i Postës.

“ UD dhe Bordi dështuan ta menaxhojnë situatën edhe pas rastit të parë me korona virus. Edhe tash e tutje janë duke keqmenagjuar ne dem të shëndetit të punëtoreve. Dështimi i juaj UD KE dhe i juaji drejtoreve të Bordit na ka shkaktuar dhimbje e traum duke ju nënshtruar terrorit psikologjik për vete e për familjaret . Veprimi i pare qe duhet të bëni është Dorëheqja juaj e menjëhershme. Urgjente. A duhet me vdekur dikush, për me dhëne përgjegjësi te paktën morale?!”, thekson komunikata.

Deri tashti janë 25 punëtorë të Postës së Kosovës, të cilët janë të prekur me Covidin-19.