12:19 / E Martë, 27 Tetor 2020 / OSH

Sindikata e RTK-së takohet me Lushtakun, flasin për Ligjin e ri për transmetuesin publik

Sindikata e Punëtorëve e RTK-së kryesia e SPERTK-së kanë zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit për qeverisje lokale, administratë publike, zhvillim rajonal dhe media, Mërgim Lushtaku.

Siç bëhet e ditur nga njoftimi i saj, sindikata ka kërkuar nga komisioni, që me urgjencë ta trajtojë çështjen e Ligjit të ri të RTK-së dhe ai të shkojë në Kuvend për miratim.

Njoftimi i plotë:

Njoftim kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së sot ka zhvilluar takim me kryetarin e Komisionit për qeverisje lokale, administratë publike, zhvillim rajonal dhe media, Mërgim Lushtaku. Sindikata ka kërkuar nga komisioni që me urgjencë ta trajtojë çështjen e Ligjit të ri të RTK-së dhe ai të shkojë në Kuvend për miratim. Kryetari i komisionit, Mërgim Lushtaku, tha se këtë çështje e kanë ndër prioritetet kryesore në komision dhe në dhjetor do ta fusin si procedurë për trajtim në komision. Sindikata u bën thirrje të gjithë anëtarëve të Komisionit për media, që çështje primare ta kenë trajtimin dhe miratimin e Ligjit të ri të RTK-së, ku ndër të tjera parashihet forma e pavarur e financimit të televizionit, duke shmangur kështu situatat si ajo e heqjes se 2.2 milionëve nga buxheti i RTK-së, gjë për të cilën vetëm SPERTK-ja e ka ngritur zërin. Sindikata po ashtu i bën thirrje Komisionit për media që të përmbahet dhe të mos interferojë politikisht në Transmetuesin publik, gjë e cila është e ndaluar edhe me Ligjin aktual të RTK-së. RTK-ja ka Bordin… dhe për çdo kërkesë, ankesë apo sqarim duhet të marrin informacione nga ai, duke përjashtuar kështu çdo ndikim politik në RTK. Sindikata kërkon nga Bordi… që sa më parë të kompletohet menaxhmenti i RTK-së, për pozitat të cilat tashmë janë hapur konkurse. Të nderuar kolegë, angazhimi i SPERTK-së për ligjin e ri ekziston që nga themelimi i kësaj sindikate, ndërsa nuk do të heqim dorë deri në realizimin e kësaj të drejte të munguar tash e 20 vjet, çështje që i takon Kuvendit, i cili asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht. Ju njoftojmë se në ditët në vijim do t`i takojmë grupet parlamentare në Kuvend, për të kërkuar miratimin e Ligjit të ri të RTK-së. Sinqerisht, kryesia e SPERTK-së Prishtinë, 27.10.2020.