Sindikata e Sektorit Privat proteston për të drejtat e punëtorëve

Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorin Privat sot ka protestuar, me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Sipas sindikatës, përmes kësaj proteste dëshirojnë që së paku sot të marrin vëmendjen e Qeverisë dhe kompanive private.
“Qeveria-Kompani private hapni sytë. Punëtorët po shkojnë”, ishte motoja e kësaj proteste.
“Sot në këtë datë të veçantë, 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, ne Sindikata e Sektorit Privat shpresojmë që së paku në këtë ditë të shënuar për punëtorët, të kemi vëmendjen e Qeverisë dhe të kompanive private të cilat mund të ndikojnë direkt në përmirësimin e kushteve të punëtorëve në Kosovë”, thuhet në kërkesën e tyre.
Sindikata iu drejtua punëtorëve duke thënë se do të jenë zëri i tyre.
“Meqenëse sot do të ishte e udhës që në të flasim për realizimin e kërkesave tona, drejtuar Qeverisë, fatkeqësisht kjo nuk po ndodh, por ne si mbështetësh të punëtorëve të sektorit privat do të jemi zëri juaj dhe së bashku do të vazhdojmë ta ngrisim zërin për të drejtat tona edhe në të ardhmen. Meqë sot është edhe një ditë e veçantë për punëtorët, dua të ngushëlloj të gjitha familjet e punëtorëve pasi pësuan aksidente fatale në vendet e tyre të punës, duke siguruar kafshatën e gojës”, u tha tutje në këtë protestë.