Sindikata e UPZ-së: Një grup i “vockël” po mundohet të shkatërroj të arriturat e Universitetit
Sindikata e Punëtorëve ( stafi akademik dhe i administratës) në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren është duke i përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit rreth përzgjedhjes së rektorit.
Përmes një komunikate, kjo sindikatë ka vlerësuar se është skandaloze mënyra se si janë instrumentalizuar përmes shtrëngesës dhe kërcënimeve anëtarët e Senatit të Universitetit duke tejkaluar kompetencat e tyre si organ për çështje akademike, kanë lëshuar deklarata në funksion të kaosit total në universitetit.
Më poshtë komunikata:
Po ashtu është tepër kriminale që dekanë të caktuar u bëjnë thirrje studentëve që të lëshojnë ligjëratat për të protestuar. Për këtë duhet të jep dikush përgjegjësi. Njëri prej dekanëve ilegal i zgjedhur(interpretimi i zyrës ligjore), madje thirret si senatori më i vjetër, që ka thirrur mbledhje në mënyrë kundërligjore dhe i njëjti nënshkrues i deklaratës së paligjshme sepse në të gjitha pikat e kësaj deklarate pikërisht ai është që duhet të ndiqet penalisht dhe jo tjerët.
Studentët e UPZ-së kanë treguar rezultate superiore brenda dhe jashtë vendit. Nuk janë aq naiv se të instrumentalizohen nga disa individë që po i kontribuojnë kaosit në universitet për t’i zgjidhur telashet e tyre dhe për të arritur te ndonjë pozitë e vogël, ose për shkak se mund të mos ju duhet disave më universiteti pasi që janë në prag të pensionimit.
Tani më është e qartë se dëmi i anëtarëve të Këshillit Drejtues është shtrirë edhe në Senatin e Universitetit. Ata në vend që të japin llogari në Senat, për punët e pa kryera në Këshillin Drejtues, vijnë dhe e “pështjellin” edhe Senatin.
Sindikata u bënë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Drejtues, dekanëve, senatorëve dhe gjithë stafit akademik e administrativ që të jenë të vëmendshëm për situatën në të cilën po kalon Universiteti. Tani rrezikojmë që të gjitha të arriturat me mund dhe djersë të gjithë punëtorëve të shkatërrohen si pasojë e një grupi “fejk” të vockël e të izoluar por mirë të organizuar në funksion të shkatërrimit të universitetit.
Është e papranueshme, madje edhe inkriminuese se si anëtarë të caktuar të Këshillit Drejtues deklarojnë publikisht se nuk marrim pjesë në mbledhje të Këshillit Drejtues dhe nuk e zgjedhim atë ose këtë rektor pa marrëveshje apo shkurt “pazar”. Sabotimi i institucionit është vepër penale e sanksionuar edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Është çudi se si anëtarët e Këshillit Drejtues tani e gjashtë muaj më shumë e kanë sabotuar këtë organ sesa kanë mbajtur mbledhje dhe paralelisht nuk kanë refuzuar asnjë beneficion nga ky pozicion dhe nuk e kanë idenë se mund të thirren në përgjegjësi penale.
Ne e dimë që anëtarë e Këshillit Drejtues qëndrojnë mirë financiarisht, por ju rikujtojmë se ekzistenca e shumicës prej punëtorëve të universitetit varet prej punës dhe perspektivës që do të ketë ky institucion. Po ashtu, ajo që është esenca pse ne punojmë dhe marrim paga shumë të mira, është që Universiteti i Prizrenit ka ulur koston e studimeve për qytetarët e regjionit të Prizrenit dhe rrezikimi i tij do të thotë edhe dëmtim i gjithë këtij rajoni e më gjerë përderisa fëmijët tanë do të detyrohen të udhëtojnë në qytete tjera ose kryeqytet për të studiuar.
Është e papranueshme dhe tepër e pa ndershme se si luhet me modestinë e kryesuesit të nderuar Prof. Dr. Bedri Muhadri, i cili ka bërë tolerime përtej çdo kufiri në funksion të gjetjes së një mirëkuptimi për të ecur përpara. Këshilli Drejtues është organ kolegjial dhe ai ka bërë një kërkesë që t’i mbulohen shpenzimet e një kursi të anglishtes, e cila kërkesë është miratuar në mënyrë unanime nga anëtarët e KD-së dhe e njëjta i nxjerrët publikisht për ta diskredituar. Kjo është keqpërdorim i mirësjelljes dhe kulturës së lartë që ka ai së pari si njeri pastaj edhe si akademik.
Anëtarë të Këshillit Drejtues, Dekanë, Senatorë, Profesorë e Administratë dhe ju Studentë shumë të nderuar, t’i kthemi punëve tona dhe të mos e ndalim zhvillimin e këtij universiteti sepse do të na gjykojnë brezat për veprimet tona që po i bëjmë sot.
Me respekt,
Kryesia e SUSHK-UPZ