Sindikatat në Zvicër nisin betejën kundër ndryshimeve në pagën minimale
Një koalicion i sindikatave dhe partive politike në Zvicër po përgatit një referendum për të kundërshtuar vendimin e Parlamentit Federal, i cili lejon që marrëveshjet kolektive të punës në sektorë të caktuar të kenë përparësi ndaj pagave minimale të vendosura nga kantonet dhe komunat, transmeton albinfo.ch.
Sindikatat e kanë cilësuar këtë ndryshim si “një sulm ndaj punëtorëve me paga të ulëta”, duke argumentuar se ai dobëson mbrojtjen e mijëra punëmarrësve, veçanërisht në sektorë si hoteleria, gastronomia dhe pastrimi.
Sipas tyre, paga minimale ndihmon që familjet me të ardhura të ulëta të mos varen nga ndihma sociale, e financuar nga taksapaguesit.
Koalicioni kundërshtues tani do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme për ta dërguar çështjen në votim popullor.
Nëse sigurohen nënshkrimet e kërkuara, qytetarët zviceranë do të vendosin me referendum nëse do ta pranojnë ose do ta rrëzojnë ligjin e ri.

