Sinisha Karan në listën e zezë të SHBA-së, kandidat për president të Republikës Serbe

Sinisha Karan do të jetë kandidat i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur në zgjedhjet e parakohshme për president të Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, ka konfirmuar kryetari i partisë, Millorad Dodik.
Dodiku, ish-president i këtij entiteti serb në Bosnjë, i ka thënë RadioTelevizionit të RS-së se do ta propozojnë Karanin para partnerëve të koalicionit.
Karan është në listën e zezë të Departamentit amerikan të Thesarit, për pjesëmarrje në organizimin dhe shënimin e festave jokushtetuese të Republikës Serbe, shkruan REL-i.
Ai është profesor i çështjeve kushtetuese dhe ministër për Zhvillim Teknologjik dhe Shkencor në Qeverinë jokushtetuese të Republikës Serbe.
Zgjedhjet e parakohshme janë thirrur për 23 nëntor, pasi Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës ia ka revokuar mandatin Dodikut, për shkak të një vendimi përfundimtar për mosbindje ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar.
Vendimi i gjykatës ia ka pamundësuar atij mbajtjen e ndonjë pozite publike për gjashtë vjetët e ardhshëm.
Partia e Dodikut pati thënë fillimisht se nuk do të kishte kandidat për zgjedhje, mirëpo më vonë ka vendosur të marrë pjesë në to.
Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike Serbe, ka thënë se kandidati i saj do të jetë Branko Bllanusha, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike në Banjallukë.