Sinjali nga Moska: Lufta vazhdon, 700 mijë trupa gati për të hyrë në Ukrainë

Gjithçka është si më parë. Madje më keq se më parë. Sulmi i kryer gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës nga Moska mbi qytetet kryesore të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, është vetëm një tjetër dëshmi se Kremlini ka ndërmend të vazhdojë strategjinë e tij të agresionit, si nga ajri ashtu edhe në tokë.
Sipas një analize të Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, në 20 ditët e para të gushtit është vënë re një rënie në numrin e dronëve Shahed të hedhur dhe mungesë e sulmeve të mëdha ndaj Ukrainës. Megjithatë, numri i sulmeve u rrit ndjeshëm vetëm disa ditë pas takimit më 15 gusht mes Donald Trump dhe Vladimir Putin. Fuqia sulmuese e Rusisë mund të rritet edhe më tej.
Këtë herë, alarmin e jep ish-gjenerali i inteligjencës së jashtme të Ukrainës, Mykola Malomuzh, i cili në një intervistë për televizionin Kiev24 tha se brenda 2-3 muajve Moska mund të jetë në gjendje të lëshojë deri në 1 mijë e 200 dronë në ditë, shumë më tepër se 810 dronët që goditën qendrën e kryeqytetit dhe dëmtuan për herë të parë ndërtesa qeveritare.
Qëllimi i Kremlinit mbetet të mbingarkojë mbrojtjen ajrore ukrainase dhe të thyejë moralin e popullatës. Për më tepër, Vadym Skibitsky, zëvendës shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës (GUR), në një intervistë për Ukrinform, vlerëson se në muajt e ardhshëm Rusia do të prodhojë rreth 2 mijë e 500 raketa me saktësi të lartë, duke përfshirë raketa lundrimi, balistike dhe hipersonike, si dhe do të rrisë prodhimin e dronëve të rinj si Geran (një variant i Shahed-it i projektuar nga Irani) dhe Garpiya.
Këto përpjekje, paralajmëron Skibitsky, nuk kanë të bëjnë vetëm me luftën në Ukrainë, por janë pjesë e përgatitjeve afatgjata për një konflikt të mundshëm me NATO-n.
Në terren, Moska po përqendron të gjitha forcat e saj në Donbas. Sipas GUR-it, rreth 700 mijë ushtarë rusë janë vendosur në Ukrainë, shumica në rajonin e Donetskut. Qëllimi është brezi që shkon nga Kramatorsk në Sloviansk. Në qendër të betejës është qyteti Pokrovsk, një zonë shumë e vështirë për ukrainasit, siç e ka quajtur në informimin e fundit shefi i shtabit të përgjithshëm të Ukrainës, Oleksander Syrskyi.
Që nga korriku, ushtria ruse ka vendosur në këtë zonë njësi marinsash me përvojë, të cilët kanë si detyrë të depërtojnë thellë në qytet, duke shmangur përplasjet e drejtpërdrejta me forcat ukrainase.
Kjo është një ndryshim strategjie: në pranverë, Pokrovsk përdorej më shumë si një “kurth” për të detyruar ukrainasit të zhvendosnin forca nga fronte të tjera; tani, ushtria ruse po synon ta pushtojë qytetin.
Një tjetër objektiv i Moskës është Kostiantynivka. Pasi një pjesë e Brigadës së 93-të ukrainase u zhvendos nga veriu i Toretsk në Dobropillia për të mbrojtur Pokrovskun, ofensiva ruse në atë zonë është përshpejtuar. Forcat ruse kanë marrë kontrollin mbi pjesën më të madhe të fshatit Oleksandr-Shultyne, kanë përparuar deri në bregun e liqenit Katerynivka dhe tani po përpiqen të çajnë përmes Stupochky drejt vetë Kostiantynivkës.
Presioni i Moskës vazhdon të jetë i lartë edhe në periferinë veriore të Chasiv Yar, me qëllim që të rrethojë Kostiantynivkën nga veriu. Aty, megjithatë, përparimi është ndalur për shkak të fortifikimeve ukrainase në zonën Maiske.
Ndërkohë, kontingjenti rus “Vostok”, pavarësisht kundërsulmeve të vazhdueshme, vazhdon të përparojë përgjatë kufirit midis rajoneve Donetsk dhe Dnipropetrovsk, në veri dhe perëndim të Velyka Novosilka.
Forcat ruse kanë marrë disa fshatra në luginat e lumenjve Vovcha dhe Vorona. Sulmet në kufirin me rajonin e Dnipropetrovsk duket se e kanë detyruar komandën ukrainase të dërgojë përforcime, ndoshta edhe nga fronti i Sumyt.
Një situatë që nuk lë shumë shpresë për Kievin.