Siria dhe forcat kurde bien dakord për armëpushim pas dy javësh luftime
Qeveria e Sirisë ka njoftuar një armëpushim të menjëhershëm në të gjithë vendin me Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, pas rreth dy javësh përplasjeve, raporton media shtetërore siriane.
Armëpushimi është pjesë e një marrëveshjeje 14-pikëshe që parashikon integrimin e SDF-së në institucionet ushtarake dhe shtetërore të Sirisë.
Presidenti sirian Ahmed al-Sharaa tha se marrëveshja do të lejojë institucionet shtetërore të rifitojnë kontrollin mbi tre guvernatoratet veriore dhe lindore: al-Hasakah, Deir Ezzor dhe Raqqa.
Deklarata erdhi pas një takimi në Damask mes al-Sharaa dhe dërguarit të posaçëm amerikan për Sirinë, Tom Barrack, i cili e përshkroi marrëveshjen si një hap drejt një “Sirie të unifikuar”. Komandanti i SDF-së, Mazloum Abdi, nuk mundi të udhëtonte për shkak të kushteve të motit, dhe vizita e tij u shty për të hënën.
SDF-ja kishte krijuar administratën e saj autonome gjatë luftës civile siriane me mbështetjen e SHBA-së, duke luftuar kryesisht kundër grupit të Shtetit Islamik (IS). Me ndihmën e SHBA-së, SDF-ja çliroi pjesë të mëdha të verilindjes së Sirisë dhe qeverisi zonat me shumicë kurde dhe arabe.
Sipas marrëveshjes, autoritetet siriane do të marrin kontrollin mbi institucionet civile, pikat kufitare dhe fushat e naftës dhe gazit, të cilat ishin baza e vetëqeverisjes kurde. Personeli ushtarak dhe i sigurisë i SDF-së do të integrohet në ministritë e mbrojtjes dhe të brendshme të Sirisë pas procesit të verifikimit, ndërsa Damasku do të marrë përgjegjësinë për burgjet dhe kampet e paraburgimit ku mbahen mijëra luftëtarë të huaj të IS-it dhe familjet e tyre.
Qeveria siriane gjithashtu premtoi njohjen e të drejtave kulturore dhe gjuhësore të kurdëve, duke përfshirë statusin e gjuhës zyrtare dhe shënimin e Vitit të Ri kurd si festë kombëtare — njohja e parë formale e të drejtave kurde që nga pavarësia e Sirisë në 1946.
Marrëveshja konfirmon gjithashtu pjesëmarrjen e Sirisë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA kundër Shtetit Islamik.
Ky marrëveshje vjen pas muajsh negociatash të bllokuara dhe pas hyrjes së forcave siriane në Raqqa dhe në fushat e naftës pas tërheqjes së SDF-së.
Presidenti al-Sharaa theksoi se ishte e papranueshme që një milici të kontrollonte një të katërtën e vendit dhe burimet kryesore të naftës dhe produkteve themelore./BBC

