75 Mall Live Search
12:42 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / F.R

Siria “rihap dyert” për Izraelin pas 25 vjetësh

Siria ka pranuar zyrtarisht për herë të parë kontaktet me Izraelin, pas më shumë se 25 vjetësh heshtjeje.

Një takim u zhvillua të martën, 19 gusht, në Paris mes ministrit të Jashtëm sirian, Assaad el-Chaibani, dhe homologut izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Takime të ngjashme ishin zhvilluar më parë në Paris, Baku dhe Abu Dhabi, por asnjëherë nuk ishin zyrtarizuar nga media shtetërore siriane. Ky hap shihet si një sinjal për normalizimin e marrëdhënieve dhe uljen e tensioneve në rajon.

Takimi u fokusua te “mosndërhyrja në punët e brendshme të Sirisë”, me qëllim forcimin e stabilitetit, sidomos në provincën jugore të Soueida-s, e cila ka pasur muajt e fundit përleshje të dhunshme midis autoriteteve dhe komunitetit druz. Konflikti ka shkaktuar rreth një mijë viktima.

Në takim ishte i pranishëm edhe sheiku druz Muwaffaq Tarif nga Izraeli, i cili kishte kërkuar më parë ndërhyrjen izraelite në përleshje.

Takimi tregoi interesin strategjik të Izraelit për komunitetin druz në Siri, ndërkohë që ushtria izraelite kontrollon pjesë të territorit jugor sirian që nga rënia e regjimit.

Për administratën e re siriane, publikimi i këtij takimi synon të qetësojë Izraelin dhe të zbusë statusin e tij si “armik ideologjik”. Analistët vënë në dukje se ky hap është i lidhur me nevojën urgjente për stabilitet në jug të vendit dhe prioritetet e qytetarëve për rindërtimin dhe rifillimin e shërbimeve publike.

Megjithatë, çdo hap drejt normalizimit do të mbetet i ndjeshëm, sidomos për çështjen e Golanit, të cilin Siria nuk pranon ta dorëzojë, ndërsa Izraeli e konsideron si territor të saj.