75 Mall Live Search
19:13 / E Diele, 09 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Sirianët po strehohen në Zhur, policia dhe kryetari i fshatit mohojnë raportimet

Të mërkurën e kaluar, në Zhur të Prizrenit, u pa një autobus në të cilin hipnin disa të rinj sirianë, në mesin e tyre edhe femra, të cilët thuhet se po largoheshin nga Kosova në drejtim të panjohur.

Madje, mediat lokale në Prizren, shkruajtën se të njëjtit kishin ikur nga zonat e luftës dhe po hynin në shtetin tonë, përmes kufirit me Shqipërinë, derisa ata po strehohen kryesisht në xhamitë e fshatit Zhur.

Por, Baki Kelani, Zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka mohuar se këtë muaj përmes kalimit të kufirit në Vermicë, ka hyrë ndonjë sirianë.

“Gjatë muajit Janar 2019, përmes Pikës të Kalimit të Kufirit Vermicë, kanë hyrë tetë (8) shtetas të Sirisë. Gjatë muajit Janar 2020, përmes Pikës të Kalimit të Kufirit Vermicë, nuk ka hyrë asnjë shtetas i Sirisë”, ka thënë Kelani për IndeksOnline.

Se në fshatin që përfaqëson ai, nuk ka pasur dhe as nuk ka sirianë të strehuar e thotë edhe Behar Begaj.

“Që autobusi me sirianë ishte në qendër të fshatit Zhur, nuk mund ta mohoj. Por, unë nuk kam asnjë informacion që ekziston ndonjë vend strehim ku ata po rrinë. Madje, s’kam as informacion që ka në Zhur sirianë”, ka thënë për IndeksOnline, kryetari i këtij fshati.

Në anën tjetër, Policia Shqiptare ka njoftuar të enjtën që lamë pas se ka arrestuar një shtetas shqiptar me inicialet K.O, banues në Tiranë, pasi që i njëjti në aksin rrugor Elbasan-Bradashesh, me automjetin tip “Toyota”, po transportonte 4 shtetas sirianë, nga Korça në drejtim të Kosovës, kundrejt fitimit 200 euro për secilin.

Ndërsa në një përgjigje për IndeksOnline, Zyra për Komunikim Publik e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ka thënë se për momentin, në Qendrën per Azil janë të strehuar 30 sirianë./Indeksonline