Siriani që jeton qe 6 vjet në Kosovë: Po më shkelen të drejtat themelore, këtu e varrosa vëllain tim … (Video)

Shtetasi sirian, Sami Almehhadani, tash e gjashtë vite jeton në Kosovë.
Ai kishte ardhur këtu në vitin 2019, ashtu si shumë refugjatë të tjerë, për shkak të luftës në vendin e tij.
Megjithëse e vlerëson mikpritjen fillestare, Almehhadani shpreh shqetësimin se në Kosovë po i mohohen shumë të drejta themelore.
Duke folur për jetën e tij dhe përvojat e vështira që ka kaluar, ai në një intervistë për IndeksOnline. përmend ndarjen e gjatë nga familja.
“Ka tetë vite që nuk kam parë anëtarët e familjes sime,” thotë ai.
Në një intervistë për IndeksOnline, Almehhadani tregon se Kosova nuk ishte destinacioni i tyre përfundimtar, por ngrohtësia që hasën nga njerëzit i shtyu të qëndronin.
“Kosova nuk ishte destinacioni ynë final, por ndjemë ngrohtësinë dhe mirësinë e njerëzve këtu, dhe vendosëm të aplikojmë për azil sapo dëgjuam që Kosova pranon refugjatë. Ne erdhëm në Kosovë, pas luftës që ndodhi në vendin tonë,” shprehet ai.
Më tej, ai ndalet te problemet që sipas tij e bëjnë jetën e vështirë për refugjatët në Kosovë.
“Sfida kryesore për ne këtu është dokumentacioni, njohja dhe mundësia për të jetuar një jetë normale. Ne nuk jemi të njohur si refugjatë në Kosovë, por jemi vetëm nën atë që quhet ‘mbrojtje dytësore’, që do të thotë se nuk ke të drejtë të jetosh jetën normalisht, si p.sh. liria e lëvizjes, bashkimi me familjen, hapja e një llogarie bankare apo edhe marrja e një dokumenti udhëtimi,” deklaron Almehhadani.
Pavarësisht sfidave, ai thotë se është përpjekur të integrohet dhe të japë kontributin e tij në shoqëri.
“Unë punoj në një kompani private si dizajner grafik, kam përfunduar tre nivelet e gjuhës shqipe në shkollë, si dhe kursin e integrimit (histori, kulturë, traditë dhe gjeografi), për të cilin kam marrë edhe certifikatë. E dua të jem në Kosovë, por pavarësisht kësaj, ndjej se po injorohemi nga OJQ-të humanitare dhe nga qeveria kur bëhet fjalë për të drejtat tona. UNHCR-i dhe partneri i tyre (CRPK), të cilët supozohet të mbrojnë të drejtat tona dhe të ofrojnë ndihmë ligjore, siç pretendojnë, kanë mungesë njohurish në ligjin për azil dhe të huaj. Përveç kësaj, ata më kanë kthyer shpinën dhe kjo ka bërë që të më mohohet e drejta për t’u bashkuar me familjen time për gati 6 vite.”
Duke folur për përpjekjet që ka bërë për të zgjidhur situatën e tij ligjore, Almehhadani tregon për hapat që ka ndërmarrë vetë.
“Pas përvojës sime të keqe me CRPK-në, e cila supozohet të përfaqësojë të drejtat e mia, dhe me UNHCR-në, që duhet të mbikëqyrë kompetencën e tyre, u detyrova t’i përjashtoj ata nga trajtimi i rastit tim. Punësova një avokat privat të cilit i besoj dhe, pas konsultimit me Avokatin e Popullit, dërgova një kërkesë zyrtare në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke bashkëngjitur të gjitha dokumentet dhe materialet ligjore që vërtetojnë të drejtën time për të aplikuar për shtetësi kosovare. Megjithatë, nuk kam marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre. Kërkesa ime e vetme për institucionet dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme është të zbatojnë sundimin e ligjit. Nuk mund t’i ushtroj të drejtat e mia dhe nuk kam arritur ta shoh familjen time për më shumë se 8 vite. Kosova ka një histori tragjike të përndjekjes. Jam plotësisht i sigurt që e kuptoni se si ndihen personat e zhvendosur,” thekson ai.
Për më shumë ndiqni intervisten e dhënë për IndeksOnline: