75 Mall Live Search
19:40 / E Premte, 15 Gusht 2025 / MSH

“Sistemi i drejtësisë po vret”/ Protestohet në Gjilan, pas vrasjes së trefishtë

Disa qytetarë janë grumbulluar në qendër të Gjilanit, për të protestuar pas vrasjes së Selami Hasanit, Edmond Hasanit dhe Abedin Hoxhës.

Familjarë, miq e bashkëpunëtorë të familjes Hasani dhe Hoxha janë tubuar përpara Gjykatës Themelore në Gjilan, për të kërkuar drejtësi për të dashurit e tyre, shkruan IndeksOnline.

Protestës i janë bashkëngjitur edhe disa argjendarë të qytetit, pikërisht për shkak se kryefamiljari Selami Hasani, ishte argjendar.

Objekti i Gjykatës është rrethuar me shirit të policisë, teksa përpara shiritit janë rreshtuar zyrtarë policorë që po përcjellin mbarëvajtjen e protestës.

“Sistemi i drejtësisë po vret!” ishte pankarta më e madhe e zbuluar në këtë protestë, teksa masës iu bashkëngjiten edhe ata që po kërkojnë drejtësi për vrasjen e të riut, Engjëll Smërqaku, 5 vjet më parë.

Kujtojmë se tragjedia ndodhi ditën e diel, më 10 gusht, ku pas shkëmbimeve me armë zjarri pranë një kafeneje në qendër të qytetit, vdiqën babë e bir, Selami dhe Edmond Hasani.

Pak orë më vonë ndërroi jetë edhe Abedini, i cili po trajtohej për plagët e marra në Spitalin e Gjilanit.

Të dyshuar për këtë vrasje të rëndë janë Mefail, Edonis dhe Engjull Shkodra.

Më poshtë pamje nga protesta./IndeksOnline/