75 Mall Live Search
12:10 / E Hënë, 30 Maj 2022 / MSH

Sa vaksina të Covid-19 ka Kosova dhe çfarë po ndodhë me vaksinat që po iu kalon afati? Flasin nga Ministria e Shëndetësisë

Pas një kohe të gjatë, ditët e fundit kanë qenë më stabile sa i përket situatës me virusin COVID-19.

Dje nuk është shënuar asnjë i infektuar, teksa aktualisht janë të regjistruara vetëm 75 raste aktive me SARS-CoV-2.

Në anën tjetër, edhe procesi i vaksinimit është bërë më i qetë, krahasuar me atë të muajve më parë.

Vetëm dje u dhanë 25 vaksina, ndërsa numri i përgjithshëm i dozave të dhëna kalon 1.8 milionëshin.

Nga Ministria e Shëndetësisë, për Indeksonline kanë deklaruar se momentalisht ka mjaftueshëm vaksina kundër COVID-19.

MSh ka dhënë detaje mbi afatin e skadimit të këtyrë vaksinave dhe se çfarë bëhet me ato u përfundon afati i përdorimit.

“Vetëm një pjesë e vaksinave kanë afat skadimi në qershor. Të tjerat kanë afat më të gjatë. Do të trajtohen ashtu siç i trajtojnë edhe shtetet e tjera vaksinat që u skadon afati, sipas protokolleve të OBSH-së” tha MSh për Indeksonline.

Sipas Ministrisë, Kosova ka shkallën më të mirë të vaksinimit në rajon, gjë që reflekton një ecuri të mirë të vaksinimit, ndonëse si proces filloi më vonë në krahasim me shtetet e tjera.

Ndërkohë, pothuajse të gjithë qytetarët që kanë marrë dozën e parë të vaksinës, janë vaksinuar edhe me të dytën: 903.037 me dozë të parë dhe 823.036 me dozë të dytë.

Megjithatë, MSh-ja ka vënë re një rënie të interesimit për vaksinim me dozë të tretë, apo me dozë përforcuese.

Sipas tyre, shkak i kësaj mund të jetë situata e qetë epidemiologjike.

“Është një interesim solid, më shumë tek moshat më të vjetra, por situata e qetë epidemiologjike, së fundi me zero raste të COVID-19, apo me shifra një shifrore, ka bërë që edhe interesimi të ulët, ndërsa pjesa më e madhe e popullatës kanë marrë nga një e dy doza të vaksinës” pohoi MSh./Indeksonline/