14:36 / E Mërkurë, 22 Maj 2024 / MSH

Situata me paga/ Kryesindikalisti i “Trepçës”: Është e rëndë, po dobëson vullnetin dhe moralin për punë

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës” ka njoftuar se janë bërë më shumë se dy javë prej kur është dashur të bëhej ekzekutimi i pagave për minatorët.

Përmes një njoftimi, sindikata thotë se në vend të ekzekutimit të plotë të pagave, është bërë selektim dhe diskriminim, duke u paguar vetëm disa kategori dhe pozita të punës.

Kryetari i kësaj sindikate, Ibrahim Januzi, tha për Indeksonline-n se ka kohë që së ka parë ndërmarrjen në një situatë më të rëndë sesa kjo e tashmja.

“Situata definitivisht është e rëndë! Pagat kanë dalë, por kanë dalë me kategori të ndryshme. Një pjese u ka dalë 30 për qind, e një pjese u ka dalë paga e plotë. Kjo është diskriminim dhe dobësim i moralit dhe vullnetit për punë. Po ndikon negativisht në ecurinë e prodhimit, si edhe në ecurinë dhe zhvillimin e ndërmarrjes. Kemi ankesa jashtëzakonisht të mëdha nga një pjesë e madhe e punëtorëve që nuk kanë arritur me i marrë pagat, e si rezultat i kësaj po pengon në procesin e zhvillimit jetësor: obligimet familjare, këstet kreditore, terminet mjekësore, udhëtimet e shumë gjëra të tjera. Ata po vijnë një muaj me punu e duan të marrin pagën që është obligim kontraktual. Menaxhmenti ka marrë vendim që me i nda, si në kategoritë e minatorëve, por edhe një pjesë të madhe të minatorëve që janë asistues teknikë në minierë”, tha Januzi.

Januzi shtoi se 30 për qind e pagës është shumë pak për të kryer obligimet që kanë punëtorët, teksa problemin në fjalë e kanë adresuar edhe te Ministria e Ekonomisë.

“Kemi dërgu e-mail në Ministrinë e Ekonomisë. Këto gjëra i kemi adresu, por s’kemi marrë përgjigje. Patëm një takim me 30 prill. Janë të informuar edhe Ministria edhe akterët kryesorë të saj, menaxhmenti, e krejt, por nuk ka ndonjë veprim konkret që na ndihmon të tejkalojmë dhe dalim nga kjo situatë. Definitivisht, “Trepça” gjendet në një situatë aq të vështirë, saqë në një të tillë nuk kemi qenë që nga vitet e pasluftës”, shtoi Januzi.

Ai thotë se një gjë e tillë mund të jetë arsye e fortë për nisjen e një greve, ndonëse një gjë e tillë nuk është paralajmëruar akoma.

“Kjo po ndikon negativisht të punëtorët. Kur nuk po iu dalin pagat me kohë, menjëherë po e ngritin zërin dhe po kërkojnë që më iu realizu kërkesat. Nuk mund të konfirmoj diçka për të ardhmen, sepse mbetet të shihen zhvillimet në ndërmarrje. Mirëpo, po shihet që edhe investime nuk është duke pasur, e kjo po na shpie drejt një rruge jashtëzakonisht të vështirë dhe nuk e di se ku do dalim” deklaroi kryesindikalisti.

Januzi pohoi se nëse kjo ndërmarrje merret më me seriozitet nga qeveria dhe shqyrtohet vërtet mundësia e investimeve si në pajisje dhe infrastrukturë, ashtu edhe në minatorë./Indeksonline/