Situata me pagat/ Sindikata e punëtorëve të RTK-së u dërgon letër institucioneve të BE-së
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se, gjatë ditëve të fundit, u kanë dërguar letra zyrtare kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe raportueses për Kosovën në PE, Viola von Cramon.
“Në këto komunikime, ne i kemi informuar me përpikëri për gjendjen tepër të rënduar financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku punonjësit vazhdojnë të mbeten pa paga ndërsa po hyjmë në muajin dhjetor” thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Sipas tyre, në letrat e komunikuara është theksuar se mosmarrja e pagave përbën një shkelje serioze të të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore të punëtorëve.
“Paga është një e drejtë parësore dhe thelbësore, e garantuar nga ligjet e Kosovës dhe nga standardet evropiane të punës, dhe mungesa e saj rrezikon drejtpërdrejt mirëqenien e punonjësve dhe familjeve të tyre” shkruan në letrën e SPERTK-së.
Me këtë rast, nga kjo Sindikatë bëjnë me dije se, në shenjë revolte, të hënën nga ora 11:00, në oborrin e RTK-së do të mbahet një grevë një-orëshe.
“Ftojmë të gjithë kolegët që ta pezullojnë punën për një orë në të gjitha njësitë e RTK-së, si akt simbolik dhe i vendosur për të kërkuar drejtësi dhe pagesa të rregullta.
Si Sindikatë, ne ripërsërisim se situata është e papranueshme. Kërkojmë masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse dhe jemi të gatshëm të vazhdojmë me të gjitha mjetet ligjore dhe sindikale për të siguruar që punonjësit e RTK-së të marrin pagat që u takojnë dhe që shërbimi publik medial të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme” deklaron Sindikata.

