18:53 / E Martë, 03 Gusht 2021 / k.v

Situata me zjarret në Shqipëri, Peleshi thirrje banorëve: Dilni sa më parë nga banesat

Edhe njëherë tjetër, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshiu ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Krine, Asim Zenel dhe Arshi Lengo në Gjirokastër që të bashkëpunojnë me autoritetet për t’u evakuuar.

Peleshi ka konfirmuar se një person ka humbur jetën si pasojë e zjarrit, ndërsa ka theksuar se situata është e vështirë.

Peleshi u shpreh se të gjitha forcat do të përqendrohen në këtë zonë.

“Situata është shumë e vështirë, me vatra zjarri të lokalizuara në zona të ndryshme. Duhet të kryejmë evakuim në këtë tre fshatra. Ju bëj thirrje banorëve të dalin sa më shpejt nga banesat. Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi këtu dhe me forcat ajrore. Të gjitha forcat do të përqendrohen këtu. Ju lutem banorëve të bashkëpunojnë me policisë, të dalin nga banesat”, u shpreh Peleshi.