Situata në Afganistan/Guterres kërkon nga komuniteti ndërkombëtar që të jetë i bashkuar

Në Afganistan talibanët vijojnë bisedimet për krijimin e qeverisë së re gjithëpërfshirëse. Ndërkohë presidenti amerikan nuk dëshiron të ndalet te kritikat, por është i fokusuar te siguria e trupave dhe stafit.
“Çdo amerikan që dëshiron të vijë në atdhe, do t’i jepet mundësia”. Është ky premtimi më i fundit i presidentit amerikan Joe Biden në mesin e kritikave për tërheqjen e trupave nga Afganistani në këtë moment të vështirë për vendin pas marrjes në dorë nga talebanët.
Boten në këto momente e shqetëson qasja që talebanët duan të krijojnë me shtetet e tjera pas krijimit të qeverisë së tyre.
Sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres u shpreh se në këto momente të gjithë duhet të jenë vigjlentë.
“Është e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të jetë i bashkuar, që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të jenë në union dhe të përdorin të vetmen vegël që kanë në dorë që janë në interes të talebanëve për legjitimitet dhe njohje ndërkombëtare”, tha ai.
Shqetësimi më i madh mbeten liritë dhe të drejtat e grave dhe vajzave nën regjimin e talebanëve për të cilat ndërkombëtarët janë të bindur që nuk do të gjejnë dakordësinë.
Gjatë regjimit të mëparshëm të talibanëve në vitet 1996-2001, gratë nuk mund të punonin dhe vajzave nuk u lejohej shkollimi. Gratë gjithashtu nuk mund të largoheshin nga shtëpia pa praninë e një mashkulli dhe duhet të ishin të mbuluara.
Mullah Abdul Ghani Baradar , bashkëthemelues dhe një nga udhëheqësit e talebanëve mbërriti në Kabul ku filloi bisedimet për të formuar një qeveri të re “gjithëpërfshirëse”.