15:36 / E Premte, 24 Mars 2023 / S Z

Situata në Gjinekologjinë e QKUK-së, drejtori Ndrejaj flet për punët që po bëhen dhe kushtet për nënat

Nuk kanë qenë të rralla ankesat e nënave, të cilat kanë lindur në Klinikën e Gjinekologjisë, në Qendrën Klinike Universitare, për trajtim jo të duhur nga personeli shëndetësor dhe sjellje aspak korrekte. Për vite me radhë ka pasur dilema për trajtimin e tyre.

Por drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj thotë se po punohet shumë që kjo gjendje të ndryshojë. Ai në një intervistë për “Indeksonline” thotë se që nga ardhja e tij në krye të kësaj klinike, si qëllim ka ndryshimin e gjendjen në këtë klinikë, sa i përket kushteve e po ashtu dhe ankesave të pacientëve.

“Detyrën e kam marrë nga gushti 2022 është disa muaj që jam në detyrë. Me fillimin e punës kam filluar dhe disa pakënaqësitë e pacientëve dhe kushteve këtu që ndodhen në klinikë me i përmirësu. Po besoj që ia kemi arritur mirë në përmirësimin e disa kushteve dhe sjelljeve rreth punës me pacient. Mirëpo pakënaqësitë nuk mund t’i ndalesh në tërësi. Ka ndoshta edhe qëllimkëqija disa, disa kërkesë apo ankesa që bëhen, mirëpo kushtet janë në përmirësim e sipër. Së fundi kemi bërë përmirësimin e sjelljes mes personelit me pacientët aty janë vërejtjet me të mëdha”, tha ai.

Ndrejaj madje thekson se së shpejti të gjitha nënat që lindin në klinikën e Gjinekologjisë, do ta kenë në dispozicion një numër ku mund të raportojnë për pakënaqësitë që kanë me stafin shëndetësor.

“ Kemi kërkuar dhe jemi në sigurim të një numri kontaktues, i cili do të vendoset në çdo dhomë të pacientëve dhe në korridore që mund ta ketë çdo pacient numrin kontaktues me drejtorinë drejtpërdrejtë për ndonjë ankesë apo pakënaqësi, që ka rreth punës ose sjelljes së ndonjë personeli shëndetësor. Këto janë ato që kam dashur t’i bëjë dhe do t’i bëjë. Do të qëndrojmë këto deri në fund që pacienti të jetë kryesori dhe të jetë ai që ta ketë vendin e vet dhe do të ketë përkujdesje maksimale nga ne. Mirëpo puna është aq e madhe ndjeshmëria në punë është aq e madhe tek ne, atëherë edhe ndonjë pakënaqësi mundet me u shfaq, por shumë shpejtë do t’i evitojmë dhe nuk do të lejojmë që të rriten më shumë problemet”, tha ai.

Ndërsa thotë se që nga koha kur ai ka marrë detyrën, nuk ka pasur shumë ankesa nga ana e pacienteve.

“Do të ketë përkujdes më të shtuar. Përkujdesi do të jetë si nga ana profesionale dhe sjelljeve me pacient. Do të evitojmë çdo pakënaqësi që na del në rrugë apo e shohim që e kemi. Prej se e kam marrë detyrën kam shumë pak ankesa. Bëjë kërkesë dhe dëshiroj që çdo ankesë të adresohet tek unë, derën e kanë të hapur dhe do ta shqyrtojmë çdo ankesë dhe çdo mundësi që kemi për ta evituar që në të ardhmen mos me ndodh”, thotë ai.

Ndërsa pohon se për një punë sa më të mirë dhe efikase Klinika e Gjinekologjisë, duhet të ketë së paku të punësuar dhe 20 mami, gjë për të cilën së shpejti do të bëhet zgjidhje.

“Sa i përket mungesës së stafit të mesëm, aty kemi pak mungesë. Ndoshta për me kry punën më mirë e më sigurt me pacient jemi në nivel të detyrës edhe 20 mami kishim pas nevojë si klinikë me i punësu”, tha ai./Indeskonline/