15:27 / E Premte, 16 Prill 2021 / OSH

Situata në Ukrainë, liderët e Francës, Gjermanisë bisedojnë me presidentin

Franca dhe Gjermania, dy vendet që po ndërmjetësojnë zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë që nga 2015-ta, i kërkojnë Rusisë të ndalë agresionin dhe të mos e përshkallëzojë situatën. Kryeministri ukrainas u prit të premten në Paris.

Teksa Rusia dhe Ukraina mobilizojnë ushtritë afër kufijve përkatës, po nisin lëvizjet e para diplomatike për tensionimin e situatës.

Presidenti francez Emanuel Makron priti homologun ukrainas, Volodimir Zelenski, për të diskutuar bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel, mbi zgjidhjen e konfliktit 7-vjeçar.

“Sovraniteti i Ukrainës është në rrezik,” tha presidenti Makron, ndërsa Kievi kërcënoi se nuk do ia falë Kremlinit nëse i shkel vijat e kuqe.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit me Donbasin, rajonin lindor që grupet rebele pro-ruse duan ta shkëputin nga Ukraina.

Që nga janari, përplasjet me separatistët kanë lënë të paktën 28 ushtarë ukrainas të vrarë.

Të tjerë ushtarë qëndrojnë vigjilentë për provokimet e kundërshtarëve.

“Ndoshta po praktikohen me manovrat, ose për agresionin. Ne jemi gati për agresionin, jemi fuqizuar në pozicionet tona dhe po të vijnë trupat ruse, do i mbrojmë kufijtë e Ukrainës.”

“Nuk do të shpresojmë që të marrim ndihmë nga jashtë. Do varemi te forca jonë. Po të na ndihmonin, do e kishim më të lehtë.”

Komandanti amerikan për Evropën dhe komandanti suprem i NATO-s për Evropën, Tod Uolters, paralajmëroi të enjten se aleatët do të ndërhyjnë me gjithë forcën në rast agresioni.

Moska ka akuzuar Kievin se po planifikon një ofensivë kundër separatistëve, akt që do e përfshinte atë realisht në konflikt, në mbrojtje të komunitetit të madh rus në rajonin e Donbasit.