Situata pas tërmetit, Shqipërisë i shtohet një ministri e re
Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit e ka detyruar kryeministrin Edi Rama që ta shtojë kabinetin e tij me një ministri të re.
Kreu i Qeverisë ka propozuar Arben Ahmetajn si ministër Shteti për Rindërtim. Propozimin ia ka dërguar për emërim, kreut të shtetit Ilir Meta, i cili ka shprehur gatishmërinë për ta dekretuar.
“Asnjë sekondë vonesë për dekretimin e ministrit të ri të Shtetit për Rindërtimin”, shkruan Tedi Blushi.
Ndërkohë, Rama thotë se ministri do të merret me koordinimin e të gjitha institucionet vendase dhe ndërkombetare.
“Programi i rindërtimit dikton hapjen e një vendi të posaçëm edhe në tryezën e Këshillit të Ministrave,ku një ministër i ngarkuar ekskluzivisht me koordinimin e të gjitha institucioneve vendase e ndërkombëtare që lidhen me këtë program,të ndjekë orë e minutë zbatimin e Programit”, shkruan Kryeministri Rama në twitter, duke publikuar edhe propozimin.
Më herët nga Durrësi, kryetari Partisë Demokratike Lulzim Basha, ripërsëriti planin me 5 pika që siç tha ai ofron lehtësi fiskale për biznesin, sipas përvojës së ndjekur nga Italia në situatë të njëjtë pas tërmetit në Aqulia.
Basha tha se vuri në dukje se nëse kjo paketë lehtësuese nuk zbatohet nga qeveria, biznesi do të vuajë pasoja të rënda.
