75 Mall Live Search
23:55 / E Enjte, 04 Dhjetor 2025 / B XH

“Situatë alarmante në Luginë” – Rexhepi: Diskriminimi mund të çojë në skenarë të vitit 2001

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, deklaroi në A2 CNN se pas reagimit të fortë në Kongresin Amerikan priten hapa konkretë për ndalimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke filluar me rikthimin e adresave të pasivizuara.

Rexhepi theksoi se situata aktuale është tepër e rrezikshme, sidomos për shkak të diskriminimit në institucionet e sigurisë. Sipas tij, nëse vazhdon ky trend, brenda dhjetë vitesh asnjë shqiptar nuk do të mbetet në policinë e Serbisë në Luginë.

“Kjo është alarmante. Konflikti i vitit 2001 erdhi pikërisht nga shtypja institucionale dhe nga sjelljet e policisë. Nëse policia bëhet tërësisht etnike serbe, diskriminimi dhe shtypja do të jenë të pashmangshme, dhe shqiptarët do të detyrohen të mbrojnë veten. Kjo mund të na kthejë në situatat e vitit 2001, dhe kjo nuk duhet të lejohet”, u shpreh Rexhepi.

Ai tha se këtë shqetësim ia ka paraqitur personalisht partnerëve ndërkombëtarë: “E kemi thënë hapur si në Berlin, ashtu edhe në Washington: kjo çështje është tepër delikate dhe mund të degjenerojë në skenarë shumë të rrezikshëm nëse nuk veprohet tani”.

Rexhepi u shpreh optimist se pas sinjalit të fortë nga Kongresi Amerikan, politika serbe do të vihet nën presion për të korrigjuar shkeljet: “Hapi i parë duhet të jetë rikthimi i të gjitha adresave të pasivizuara dhe integrimi real i shqiptarëve në institucione”.