Situatë e qetë në Dragash, komplikime vetëm në Mlikë
Në Komunën e Dragashit, situata pas vërshimeve është e qetë.
Pas ndaljes së reshjeve të shiut, kjo komunë po përballet me pasojat e një dite më parë.
Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, deklaroi për IndeksOnliune se nuk ka pasur dëme të mëdha materiale, teksa më shumë ka pasur dëme në infrastrukturë.
“Në një fshat të komunitetit jo-shumicë, Mlikë, ka pasur depërtim të ujit nëpër shtëpi. Aty gjendja është pak jo e mirë, për shkak se nuk kemi arritë me rregullu dhe ri-drejtu rrjedhjen e lumit, për shkak të disa pengesave që kemi hasur. Sot do të shkojmë të shohim situatën dhe të bëjmë një zgjidhje për këtë gjë.
Përndryshe, për momentin kanë mbetur vetëm pasojat. Rrezik për vërshime momentalisht nuk ka, vetëm nëse fillojnë prapë reshjet. Në disa vise në bjeshkët tona ka rënë borë dhe, edhe nëse bie shi, sasia e shiut nuk do të jetë aq e madhe sa ka qenë dje” deklaroi Xheladini.
Ai shpreh se disa lumenj kanë dalur nga shtrati, por që situata tani është e menaxhueshme
“Për momentin, nëse nuk keqësohet gjendja dhe nuk bie më shi, nuk shoh që të ketë më rrezik. Disa lumenj kanë dalur nga shtrati dhe kanë bërë dëme – në infrastrukturë rrugore, sidomos. [Lumenjtë] kanë mbyllur disa kanalizime nëpër fshatra, por janë dëme që mund t’i riparojmë, nuk janë aq të mëdha” shtoi i pari i Dragashit.
Xheladini pohon se në përgjithësi, situata u menaxhua mirë, teksa shumë kompani private iu përgjigjen thirrjes për të ndihmuar në përballimin e kësaj fatkeqësie natyrore.
“Situata dje u menaxhua mirë. I falënderoj të gjitha ekipet dhe shumë kompani private që, me thirrjen time, dje kanë dalë dhe kanë punu gjatë gjithë natës” përfundoi Xheladini.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, shumë qytete të vendit u përballen me përmbytje masive, pas reshjeve madhore të shiut gjithandej Kosovës./IndeksOnline/

