75 Mall Live Search
11:58 / E Premte, 18 Qershor 2021 / k.v

Sivjet 51 të vdekur nga aksidentet në trafik

Gjatë këtij viti është rritur ndjeshëm numri i aksidenteve në trafik. Të dhënat e Policisë së Kosovës, të cilat i ka siguruar IndeksOnline, flasin për një gjendje shqetësuese në aspektin e sigurisë në rrugë. 51 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë këtij viti në 43 aksidente fatale të regjistruara.

Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor nëpër të gjitha rrugët e vendit.

Një prej objektivave parësore për Policinë e Kosovës është edhe ofrimin i sigurisë rrugore për pjesëmarrësit në trafik dhe parandalimi i aksidenteve, andaj sipas planifikimeve operacionale, parashihen aktivitete të shtuara me qëllim që të parandalohen aksidentet dhe të rritet siguria në trafik.

Për periudhën kohore janar-qershor 2021, kanë ndodhur 43 aksidente fatale dhe kanë humbur jetën 51 persona, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë të rris prezencës policore në trafik si dhe ndërmarrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë kundërvajtësve, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë shqiptuar 1.713 gjoba.

Veç aktiviteteve policore në këtë aspekt, Policia e Kosovës në vazhdimësi APELON te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor si dhe t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe atyre atmosferike.

Së fundi portali IndeksOnline ka nisur një fushatë për të raportuar çdo shkelje në trafik që adresohet në redaksi./IndeksOnline/