S’ka befasi në bastione, shtetet e papërcaktuara pritet ta vonojnë procesin

Kandidati i Partisë Republikane për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po udhëheq në projeksionet e CNN-it dhe Associated Press, për zgjedhjet e 5 nëntorit. Megjithatë, gara e ngushtë përballë Kamala Harrisit në disa shtete të papërcaktuara, e ka bërë rezultatin final vështirë të parashikueshëm.
Rezultatet e para të votave elektorale nuk kanë qenë befasuese. Trumpi ka fituar shumicën e bastioneve të Partisë Republikane, ndërsa Harrisi tek ato të Partisë Demokratike. Nga projeksionet e CNN-it dhe “Associated Press” në rreth 30 shtete, Trumpi ka siguruar të paktën 214 vota në Kolegjin Zgjedhor, ndërsa Harrisi ka 179 vota elektorale. Për t’u bërë president, kandidatit i duhen 270 vota elektorale nga gjithsej 538 sa i ka Kolegji Zgjedhor. Numërimi konsiderohet i mbyllur në më shumë se gjysmën e shteteve. Kandidati republikan që synon rikthimin në Shtëpinë e Bardhë, po prinë edhe me votë popullore. Nga numërimi i më shumë se 90 milionë votave popullore, 78-vjeçari prin me mbi 52 për qind.
Përderisa votat elektorale nga bastionet ishin të parashikuara, gara më e ashpër është në shtatë shtetet që konsideroheshin të papërcaktuara. Në asnjërin nuk ka projeksion për fitues, edhe për shkak se disa prej tyre procesin e votimit e kanë nisur më vonë, sipas kohës lokale. Në Georgia dhe Karolinën e Veriut ka nisur numërimi, por se rezultati është shumë i ngushtë për t’u konsideruar i sigurt. Si pasojë, pritet që procesi të marrë kohë deri në përfundim. Një tjetër vend që konsiderohet kyç për procesin final është Pensilvania. Aty, kur numërimi ka shkuar në mbi 50 për qind të votave, Trumpi për herë të parë ka dalë si udhëheqës duke tejkaluar Harrisin që printe që prej fillimit. Dallimi është më pak se dy për qind në shtetin që i ka 19 vota elektorale. Rëndësinë e këtij shteti e ka theksuar edhe kandidati republikan, Donald Trump, që në orët e para të procesit të numërimit, në një paraqitje në një radio në Filadelfia, u shpreh se po që se fiton në Pensilvani, e fiton krejt garën. Po ashtu gjatë ditës, Trumpi në rrjetin e tij social “Truth” ka hedhur akuza për dallavere me vota në Pensilvani.
Wisconsini është tjetër shtet në mesin e shtatë të papërcaktuarve. Aty në vazhdimësi ka pasur ndryshim në listën e kandidatit që i prinë garës.
Republikanët janë duke udhëhequr edhe për Senatin e Dhomën e Përfaqësuesve. Gara është për 34 nga 100 vendet e Senatit amerikan.