S’ka fakte, prokurori tërhiqet ndaj u.d drejtorit të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, Safet Krasniqi

Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se më 24.12.2020, ka pranuar aktgjykimin me numër 2019:291344, të marrë më 11.12.2020 nga Departamenti special-Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në këtë aktgjykim Prokurori i Shtetit në mungesë të provave, tërhiqet nga ndjekja penale kundër të akuzuarit Safet Krasniqi, pasi nga provat e administruara nuk është vërtetuar se ai kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, apo që nuk i kishte përmbushur detyrat e tij të përcaktuara me ligj.
Në këtë aktgjykim thuhet se Krasniqi nuk i ka shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.
“Bazuar në këtë aktgjykim është vërtetuar se zyrtari në fjalë i akuzuar ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe të gjitha veprimet janë bërë në koordinim me prokurorin e çështjes dhe se ai ka qenë i përfshirë dhe i njoftuar për të gjitha veprimet e inspektorëve hetues”, thekson komunikata.
ATK-ja bën të ditur për opinionin publik se rasti ka të bëjë me aktakuzën të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, PPS.nr.09/19.
ATK-ja njofton opinionin publik se veprimet e ndërmarra nga zyrtarët e ATK-së lidhur me këtë rast, por edhe për rastet e mëhershme të zyrtarëve të hetuar të bëra publike në media, kanë qenë në harmoni të plotë me ligjin.