S’ka kapacitet për organizim, IPKO fajëson tifozët e Kosovës për eskalimin e situatës
Në pritje për të blerë bileta për ndeshjen, Kosovë – Maltë, në pikat e autorizuara për shitje në Prishtinë, u krijua një kaos i vërtetë.
Radhët e qytetarëve në pikat e shitjes ishin të gjata, dhe ndërkohë filluan edhe incidentet ku u nevojitë intervenimi i Policisë së Kosovës.
Tani, IPKO ka tentuar të justifikohet për situatën e krijuar, ani pse kapaciteti i saj ishte shumë i vogël për ta kryer këtë punë.
Në shumicën prej pikave kishte vetëm nga një sigurim, sidomos në Pejton ku ishin mijëra qytetarë në pritje për të blerë bileta – dhe aty kishte vetëm një sigurim.
IPKO përmes një njoftimi për publikun tani është justifikuar nga këto incidente, duke u munduar që të distancohet nga e gjithë kjo, transmeton IndeksOnline.
IPKO e kupton rëndësinë e secilës ndeshje të përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të Ligës së Kombeve si dhe e kupton dëshirën e madhe të secilit qytetar që të përkrahë në mënyrë aktive përfaqësuesen tonë në fushë”.
”Megjithatë, ju bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të futbollit, që të kenë mirëkuptim dhe durim gjatë procesit të blerjes së biletave”.
”Sot në orët e pasdites, gjatë procesit të shitjes së biletave, janë shënuar disa incidente, të cilat nuk i përkrahim dhe për më shumë, i dënojmë”.
”Duam t’ju informojmë që IPKO, vetëm e lehtëson procesin e shitjes së biletave. IPKO-ja në këtë rast, zbaton vendimet e Federatës së Futbollit, siç janë mënyra e shitjes së biletave, pikat e shitjes, vendndodhja dhe koha e shitjes, si dhe është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”.
”Ne i falënderojmë të gjithë qytetarët e vendit për durimin dhe respektin e të tjerëve gjatë kohës së pritjes për të blerë biletat”, thuhet në njoftim./IndeksOnline/