75 Mall Live Search
17:50 / E Diele, 23 Nëntor 2025 / F.R

S’ka kontrast në QKUK, CT-ja e Emergjencës dhe ajo e Pejës jashtë funksionit

Janë bërë pesë ditë që pajisja diagnostikuese – CT, e cila përdoret për rastet urgjente në Klinikën e Emergjencës në QKUK, ka dalë jashtë funksionit për shkak të një defekti.

Pacientët që shkojnë në Qendrën Emergjente në QKUK tani duhet të dalin jashtë këtij objekti për të kryer CT-në në Klinikën e Neurologjisë. Përveç kësaj, burimet bëjnë me dije se që prej pesë ditësh nuk ka as kontrast – material ky shpenzues dhe i domosdoshëm për realizimin e CT-së me kontrast.

Televizioni ka raportuar disa herë për mungesa të tilla, ku pacientët shpeshherë detyrohen ta blejnë vetë kontrastin.

Në anën tjetër, QKUK ka 4 aparatura të CT-së, njëra e vendosur në klinikën e Emergjencës, tjetra në Neurologji, kurse ajo në Onkologji është shumë e vjetër, dhe e fundit ndodhet në Klinikën e Pediatrisë.

Pos këtyre, CT-ja në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është jashtë funksionit prej një muaj, pajisje kjo që është e vjetër.

Rastet e këtij spitali po dërgohen në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës, shkruan klan kosova.

Defektet me aparaturat diagnostike nuk janë të rralla në Spitalin e Pejës. Muaj më parë Klan Kosova raportoi për Rezonancën Magnetike, pajisje kjo e shtrenjtë dhe e blerë rishtas që kishte pësuar prishje, duke u rikthyer më vonë në funksion.