75 Mall Live Search
10:48 / E Mërkurë, 19 Tetor 2022 / B O

S’ka krizë për Bayern-in, viti i 30-të radhazi që mbyllet me bilanc pozitiv në buxhet

Klubi i Bayern Munich ka njoftuar rezultatet më të fundit të pasqyrave financiare. Bavarezët kanë vendosur një rekord pasi për të 30-in vit radhazi ata e kanë mbyllur vitin financiar (mbyllet më 30 qershor) me bilanc pozitiv. Kjo pavarësisht faktit se tre vitet e fundit pandemia e COVID-19 ka ndikuar negativisht.

“Kjo është një arritje e madhe. Vështirë se ndonjë klub tjetër kryesor në Evropë ka qenë në gjendje të raportojë vazhdimisht fitime si Bayern, pavarësisht nga pandemia gjatë tre viteve të fundit”, shpjegoi Jan-Christian Dreesen, nënkryetar i bordit të Bayern Munchen AG.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me ADN-në e Bayern-it, kështu që ne kurrë nuk shpenzojmë më shumë sesa fitojmë. Efektet e pandemisë, pasojat e luftës në Ukrainë, kriza energjetike, si dhe inflacioni që rezulton, do të kenë gjithashtu një ndikim të rëndësishëm në vitin aktual financiar 2022/23”.

“Pavarësisht këtyre ngarkesave negative, Bayern pret një rritje të mëtejshme të konsiderueshme të shitjeve dhe një rezultat pozitiv operimi”, përfundoi ai.

Jan-Christian Dreesen/ Photo: FC Bayern Munich

Në total, xhiroja totale e klubit arriti në 665.7 milionë euro për vitin fiskal 2021-22, duke pësuar rritje krahasuar me një vit më parë që ishte 643.9 milionë euro.

Ndikimi në buxhet te Bayern vjen nga të ardhurat gjatë ndeshjeve, përfshirë edhe ato në Champions League (159.5 milionë euro), të ardhura komerciale (224.2 milionë euro), të ardhura nga të drejtat televizive (99.9 milionë euro), të ardhura nga transfertat (12.1 milionë euro), të ardhura nga tregtimi (93.6 milionë euro), si dhe të ardhrua të tjera (50 milionë euro).

Përsa i përketë shpenzimeve, te Bayern Munich pjesën më të madhe e zënë kostot e personelit me 324.1 milionë euro. Më pas vijnë shpenzimet operative, të cilat janë në vlerën e 169.8 milionë eurove. Shpenzimet për materiale dhe shërbime kapin shifërn e 40.5 milionë eurove. Dhe në fund qëndron amortizimi, që kap një vlerë 94.4 milionë euro.