12:28 / E Enjte, 25 Shkurt 2021 / OSH

S’ka materiale për letërnjoftime, ja kur pritet të merrni të rinjtë

Në muajin shtator e tetor të vitit të kaluar qytetarët e Republikës së Kosovës janë përballur me pritje të mëdha për t’u pajisur me letërnjoftim, për shkak të mungesës së materialeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Madje, qytetarëve i është lëshuar ekstrakti me fotografi pasi Agjencia e Regjistrimit Civil, s’kishte nuk mundësi t’i pajiste me kohë qytetarët me letërnjoftime për shkaqe të ndryshme teknike.

Por me një vonesë të tillë po përballen edhe në këtë fillimvit qytetarët e Kosovës.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje për IndeksOnline kanë thënë se është nënshkruar kontrata për furnizim me dokumente, mirëpo për shkak të materialit mjaft të ndjeshëm gjatë bartjes, janë krijuar vonesa.

Sipas tyre, ka ndikuar edhe pandemia në vonesa në furnizim,

Mirëpo, në përgjigje, MPB-ja bëri të ditur se të hënën do të behet furnizimi me material për letërnjoftime.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka të nënshkruar një kontratë për furnizim me dokumente me kompaninë Gjermane “Veridos”. Prandaj  ju informojmë se ky material është mjaft i ndjeshëm dhe kërkon trajtim të veçantë, sidomos gjate bartjes. Për momentin kemi edhe një sasi të materialit për letërnjoftim.

Për shkak të rrethanave të ditura të pandemisë kemi vonesë në furnizim, por tani kemi konfirmim zyrtar që të hënën do të bëhet furnizimi me material për letërnjoftime”, thuhet në përgjigjen për IndeksOnline.

Kujtojmë se qytetarët në vend po përballen edhe me mungesë të targave ku një numër i konsiderueshëm i tyre po bartin targa provuese.

Nga MPB-ja pak ditë më parë kanë bërë të ditur se deri në fillim të muajit mars s’do të ketë furnizim me material për targa RKS./IndeksOnline/