S’ka pensione për veteranët para zgjedhjeve
Pensionet e veteranëve mund të vonohen edhe për një kohë. Rishikimi i buxhetit i miratuar në Qeveri për tu bërë i plotfuqishëm duhet ta marr dritën jeshile edhe në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë zgjedhjet lokale të 22 tetorit pritet ta prolongojnë mbajtjen e seancës së Kuvendit, në të cilin do të miratohej rishikimi i buxhetit, shkruan Gazeta Fjala.
Se kur do të mbahet seanca e radhës nuk e ka të qartë as sekretari i Kuvendii, Ismet Krasniqi.
“Referojuni ueb faqes së Kuvendit”, ka qenë shkurtë përgjigja e Krasniqit për Gazetën Fjala. Por në ueb faqe nuk ka asnjë informacion për seancën e radhës.
Sipas legjislacioni në fuqi, rishikimi I buxhetit e merr formën e prerë vetëm pasi të jetë votuar nga shumica e deputetëve, shkruan Gazeta Fjala.
Pavarësisht kësaj, veteranët janë të bindur se do ti marrin pensionet e tyre ditën e premte, dy ditë para se të mbahen zgjedhjet lokale.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit, ka treguar se kanë premtime që pagat e tyre do të dalin të premten, ndërsa lidhur me deklaratat që po qarkullojnë në media se e kanë kushtëzuar Qeverinë se nëse nuk i marrin pagat nuk do të votojnë, Gucati ka thënë se janë vetëm spekulime.
“Ne nuk e preferojmë si mjet për zgjidhjen e problemeve rrugën, por jemi duke bërë presion të vazhdueshëm që të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2017, e që veteranëve tu paguhen pensionet. Kemi premtime se kjo do të bëhet e mundshme të premten”, ka thënë Gucati për Gazetën Fjala.
Gucati ka thënë për Gazetën Fjala se ka tre muaj që prej kur veteranët nuk kanë marrë pagat, ndërsa paga e fundit për ta ka qenë 52 euro në muajin gusht.
Që veteranët t’i kenë pagat e tyre në xhep, pritet vetëm që të bëhet rishikimi i buxhetit.
Nga Ministria e Financave fajin për vonesën e pagave të veteranëve ua hedhin Kuvendit, pasi që sipas tyre ata i kanë siguruar mjetet dhe kompetencat që kanë pasur si ministri tani i kanë kaluar Kuvendit.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka thënë për Gazetën Fjala se rishikimi i buxhetit pritet të bëhet para të premtes, dhe menjëherë pas kësaj paratë do të jenë në konto të veteranëve.
“Kemi pasur shumë vështirësi me i siguruar mjetet, por ia kemi arrit në momentin e parë që janë kërkuar. Madje i kemi sigurua për krejt muajt që i kemi pas borxh dhe tashmë pritet vetëm rishikimi i buxhetit që ata t’i marrin pagat”, ka thënë Rafuna.
Ndërkohë ditë më parë për media përgjegjësinë nga vetja e kishte larguar edhe Kryeministri Haradinaj, i cili kishte thënë se Qeveria e ka përfunduar atë që është dashur ta bëjë, e tash adresë për veteranët është Kuvendi.
“Protestuesit atë ditën ishin gabim, koleget e mi. Ata kishin ardhur në adresë të gabuar. Ne e kemi përfunduar pjesën tonë. Qeveria e ka përfunduar atë që është dashur ta bëjë, ka ndarë pjesën që është kërkuar, edhe për rehabilitim edhe për proteza, që kanë qenë në pritje. Paratë për veteranë janë ndarë. Ne pra i kemi kry punët, tash adresa është në Kuvend. Te Qeveria nuk ka çfarë të kërkojë asnjë veteran”, Kishte deklaruar Haradinaj.
Abdixhiku: Listat e veteranëve po zgjerohen për qëllime zgjedhore
Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, njëherit deputet nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria po i shton listat fallco të veteranëve për qëllime zgjedhore, e paratë për këta veteranë do të merren nga fondet e sigurimeve shëndetësore.
“Buxhetit u janë hequr miliona euro nga fondet e parapara të sigurimeve shëndetësore për t’i mbuluar listat e fryra të veteranëve. Derisa spitalet na mbesin pa barna, pa penj e pa oksigjen, mafia e pushtetit i zgjeron listat fallco për qëllime zgjedhore.”
Abdixhiku më tej ka shtuar se derisa certifikatat e veteranëve lëshohen ende, me këtë ritëm shtetit do t’i duhet të paguajë 100 milionë euro vetëm për veteranë.
“Listat e veteranëve janë fryrë. Në to janë futur padrejtësisht me mijëra individë – militantë partiak – që s’kanë patur lidhje me luftë. Për këtë veprim, Prokuroria e shtetit ka nisur edhe hetim. Ne sot të tillët i paguajmë; plot 50 mijë. Sot derisa flasim, certifikatat e veteranëve lëshohen ende; e kostot buxhetore kanë arritë në 70 milion euro në vjet. Me këtë ritëm do të mbërijmë deri në 100 milion. Këta s’kanë kufi”, ka deklaruar Abdixhiku përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, shkruan Gazeta Fjala.
E për këto lista Abdixhiku ua lë fajin Partisë Demokratike të Kosovës, pasi që sipas tij ata po e plaqkisin vendin në emër të luftës.
Akuzave të Abdixihikut u është kundërpërgjigjur Ministri i tanishëm i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismajli duke ia kujtuar Abdixhikut LDK ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave.
“Në Komisionin për Buxhet dhe Financa, LDK ka votuar sot kundër rishikimit të Buxhetit të Kosovës, duke përmendur si një nga arsyet heqjen e fondeve për sigurimet shëndetësore. Por, është e pandershme dhe e papërgjegjshme të tejkalohet fakti se sigurimet shëndetësore nuk janë arritur ekskluzivisht për shkak të neglizhencës së ministrave të LDK-së në qeverisjen e kaluar. Po jua kujtoj se LDK ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave”, ka shkruar Ismaili në një postim në Facebook, shkruan Gazeta Fjala.
Numri i veteranëve sipas muajve
Janar – 28,631 përfitues
Shkurt – 28,562 përfitues
Mars – 28,625 përfitues
Prill – 29,601 përfitues
Maj – 31,023 përfitues
Qershor – 31,953 përfitues
Pakënaqësia e veteranëve
Ndryshe javën e kaluar dhjetëra veteranë kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të miratohet buxheti për pagesën e veteranëve pasi që për tre muaj nuk i kanë marrë pensionet nga shteti.
Veteranët kanë akuzuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe përfaqësues të shtetit se kanë lejuar rritjen e numrit të veteranëve me persona që nuk kanë qenë të përfshirë asnjëherë në luftën e fundit si pjesëtarë të kësaj ushtrie.
Madje kryetarin e shoqatës së veteranëve, Hysni Gucatin e kanë akuzuar se ka futur njerëz në listën e veteranëve për 3 mijë euro.
Protesta e veteranëve kishte përfunduar pasi veteranët protestues janë ftuar në një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës.
FMN alarmonte për numrin e veteranëve
Rritja e pakontrolluar e numrit të veteranëve që përfitojnë pensione kishte shqetësuar çdo herë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Madje ky institucion kishte ngritur edhe alarme duke I bërë me dije qeverisë së Kosovës së po rrezikohen merr veshjet.
FMN pati bërë me dije se për tu ruajtur kjo marrëveshje është ndryshimi i ligjit për veteranët.
“Është e vetmja çështje që po e mbanë peng marrëveshjen me FMN-në dhe nëse nuk ndryshohet ligji për veteranët atëherë Kosova do të del nga programi”, patën thënë zyrtarë nga FMN-ja për Gazetën Fjala.
Drejtues të FMN në Kosovë kanë potencuar në takimet që kanë zhvilluar me krerët institucionalë në vend se është e domosdoshme ri-shikimi i listave.
FMN-ja ka konsideruar se numri prej 46 mijë veteranësh është tepër i lartë dhe shkakton probleme buxhetore për Kosovën. /Gazeta Fjala