S’ka pistë hetimi që bën ndërlidhjen e Jeton Buqukut me Demë Elshanin, Vuçetaj jep detaje
Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ka thënë ende nuk ka detaje për tentativë vrasjeje që ndodhi paraditen e së dielës në një lokal në Pejë e ku mbeti i plagosur Jeton Buquku, i cili po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ajo e ka hedhur poshtë pistën se kjo lidhet me Demë Elshanin.
“Nuk kemi indikacione që ka të bëjë me Demë Elshanin, Jeton Buquku është hetuar edhe për vepra të tjera penale jo vetëm në aspektin kundër jetës dhe trupit dhe gjitha këto kanë shkuar në gjykatë dhe janë trajtuar. Sa i përket rastit të fundit nuk kemi arritur ende te motivi sepse ende nuk është intervistuar i dëmtuari dhe ai është duke u trajtuar në QKUK dhe në rast se ka lidhshmëri sigurisht që do të hetohet. Mirëpo absolutisht nuk mund të aludojmë në këtë drejtim dhe nuk kemi indikacione për këtë pistë të hetimit”, tha ajo.
Sa i përket të dyshuarve, ajo tha se nuk ka informacione ende nëse janë recidivisht dhe se deri në këtë fazë nuk është arritur që të dihet nëse janë të njohur për organet e rendit.
“Sa u përket personave deri në këtë fazë nuk kemi arritur që ata janë recidivist, sigurisht që do të kërkohet e kalumja kriminale për shkak se nuk kemi arritur që kallëzimin penal me siguru nga ana e policisë për shkak të veprimeve që janë duke u ndërmarrë. Por deri në këtë fazë nuk kemi arritur që ata janë të njohur për organet e rendit”, tregoi ajo.

