S’ka rrjedhje të afatit pa u mandatuar Kurti
Janë bërë katër ditë që kur është konstituar Kuvendi i Kosovës.
Deputetët e legjislaturës së shtatë pasi dhanë betimin votuan për kryetar të Kuvendit, Glauk Konjufcën, ndërsa zgjodhën edhe pesë nënkryetarët.
Por nga ajo ditë më nuk ka asnjë lëvizje drejt formimit të Qeverisë, pasi VV e LDK i prishen marrëdhëniet.
Presidenti i vendit Hashim Thaçi ndonëse e ka ftuar Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve, për ta konsultuar rreth mandatimit, ai nuk po i shkon në zyrë.
E derisa nuk ka mandatar për të formuar qeverinë, nuk ka as afat se kur duhet të votohet qeveria.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se ditën që presidenti e mandaton Kurtin për ta formuar qeverinë, nis rrjedhja e afatit 15 ditë.
Presidenti Thaçi sot i ka dërguar ftesën e tretë Kurtit për ta konsultuar rreth mandatimit për krijimin e qeverisë. Ky takim është paraparë për nesër në orën 10:00./IndeksOnline/