S’ka zgjidhje për punëtorët e sigurimit të QKUK-së , u jepet prapë afat i ri

E hëna që lamë pas supozohej të ishte dita kur punëtorët e sigurimit fizik të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të ktheheshin në punë.
Por si çdo e hënë që u ishte premtuar deri tani, edhe kjo pati po të fundin përfundim.
280 punëtorë janë lënë në prag të administratës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar në pritje për një përgjigje mbi fatin e tyre.
Mëngjesin e së mërkurës, ata janë pritur në takim nga Osman Hajdari, Drejtori i QKUK-së, e edhe këtë herë, kërkesa e menaxhmentit ishte e njëjta, më shumë kohë e tjetër afat.
“Dje kemi prit prejj KRPP a po e kthen sistemi ofertën për ofertues. Ende nuk e kanë kthy, sot është dita e fundit në 16:00. U takuam më herët, nesër në orën tetë thirren kompanitë për tu hapur oferta”, ka theksuar Hakif Sylejmani, Përfaqësues i punëtoreve teknik.
Gjatë këtij takimi të mbajtur me punëtorët grevistë, këtyre të fundit iu është dhënë edhe arsyeja për thyerjen e vazhdueshme të premtimeve.
“Arsyetimi ka qenë se s’ka mundur të përgaditet drejtoria për të dërguar lëndën në KRPK…”, ka theksuar Hakif Sylejmani, Përfaqësues i punëtoreve teknik.
QKUK kishte kërkuar nga SHSKUK-ja që ta merrte përsipër procesin.
Megjithatë ajo deklaroi për Dukagjinin se ia ka lënë përsipër QKUK-së e se kjo e fundit, veçse ka nisur procedurë të re për lidhje të kontratës së re.
Por, sipas njohësve të sektorit të shëndetësisë, barra bie vetëm mbi SHSKUK-në.
“Kjo është mjaft komplekse për shkak të vlerës së madhe të tenderit dhe interesave të larta që kanë kompanitë. Krejt komplikimi ndodh për këtë arsye për shkak të vlerave të larta që ka. Po kjo nuk e largon nga përgjegjësia SHSKUK sepse është ai që e kontrakton, është përgjegjës të sigurojë mbarëvajtjen dhe ligjshmërinë në vendin e punës”, ka theksuar Bujar Vitija, Gazetar i shëndetësisë.
Megjithatë, interesimit të Dukagjinit lidhur me këtë çështje nuk i është përgjigjur as QKUK-ja.
Në ndërkohë ishte Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili kishte paralajmëruar pasoja nëse afati i kaluar nuk respektohet, por për Dukagjinin, nga ekipi i tij deklaruan se çështja i takon SHSKUK-së./Indeksonline/