“S’kam qenë as 10 minuta në takim, propaganda po shpik “puç” kundër Kurtit”, thotë presidentja Osmani
Presidentja Vjosa Osmani sqaron fotografinë me Grenell dhe Gjuriq: Absurde të thuhet se kemi lobuar për rrëzimin e Kurtit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë sqarime lidhur me fotografinë e publikuar ku ajo shihet në një takim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përfaqësuesit e Ballkanit, Richard Grenell dhe Marko Gjuriq nga Serbia.
Në një intervistë për Syri TV, Osmani i quajti absurde pretendimet e disa propaganduesve se në atë takim është lobuar për rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti.
“Sipas propaganduesve thuhet se në një takim në Neë York, ku unë dhe presidenti Begaj kemi qenë të pranishëm, kemi lobuar për rrëzimin e Kurtit. A ka absurditet më të madh?”, deklaroi Osmani, transmeton Indeksonline
Ajo sqaroi se takimi kishte ndodhur në shtator dhe se ishte organizuar me ftesë të përfaqësuesve amerikanë.
“Ai takim ka ndodhur në shtator, kur jemi ftuar në emër të Sekretarit të Thesarit dhe të përfaqësuesit special për misione speciale. Aty ka qenë e gjithë Evropa Juglindore. Unë jam konsultuar paraprakisht edhe me Shqipërinë dhe Kroacinë”, theksoi presidentja.
Sipas saj, aktiviteti ishte një tryezë diskutimi e quajtur “Amerikë – Evropë Juglindore”, ku kanë marrë pjesë liderë dhe përfaqësues nga rajoni.
“Aty ka edhe procesverbale të takimit. Unë nuk kam qëndruar as 10 minuta në atë takim”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se është keqpërdorur ideja se në atë tryezë është diskutuar për ndonjë komplot politik kundër qeverisë së Kosovës.
“Është abuzive të thuhet se aty, kinse Kroacia, Bosnja e Hercegovina, presidenti Begaj dhe unë kemi diskutuar për një puç. Takimi ka qenë në shtator. Si mund të thuhet pastaj se unë paskam organizuar puç kundër z. Kurti më 28 dhjetor?”, u shpreh Osmani.

