75 Mall Live Search
20:34 / E Hënë, 16 Mars 2026 / L A

Skandal dopingu në tenis, ish-numri 39 i botës pezullohet për katër vite

Një rast i rëndë dopingu ka tronditur botën e tenisit. International Tennis Integrity Agency ka njoftuar pezullimin për katër vite të ish-tenistit australian Marinko Matosevic, i cili në vitin 2013 arriti deri në vendin e 39-të në renditjen botërore të ATP.

Sipas vendimit të ITIA-s, Matosevic ka kryer pesë shkelje të rregullave antidoping në periudhën 2018–2020. Ndër akuzat kryesore është përdorimi i një metode të ndaluar dopingu nëpërmjet të gjakut, ndërsa ishte ende lojtar aktiv. Përveç kësaj, ai akuzohet se ka ndihmuar edhe një tjetër tenist të përdorë të njëjtën metodë, si dhe ka këshilluar lojtarë të tjerë se si të shmangnin rezultatet pozitive në testet antidoping.

Hetimi zbuloi gjithashtu përdorimin dhe posedimin e substancës së ndaluar Clenbuterol, e njohur si një agjent anabolizues.

Vetë Matosevic ka pranuar një pjesë të ngjarjeve. Në një letër drejtuar programit sportiv “First Serve”, ai tregoi se në shkurt të vitit 2018 iu nënshtrua një transfuzioni gjaku në Morelos të Meksikës për shkak të problemeve shëndetësore. “Isha në një situatë të dëshpëruar dhe e bëra atë veprim. U pendova shumë dhe u tërhoqa nga tenisi vetëm një javë më pas”, shkroi ai.

Megjithatë, sipas ITIA-s, përfshirja e tij nuk u kufizua vetëm në këtë rast. Organizata thekson se Matosevic ka shkuar përtej një roli pasiv, duke ndihmuar dhe këshilluar lojtarë të tjerë për praktika dopingu.

Pas përfundimit të karrierës si tenist, australiani kishte nisur punën si trajner, duke bashkëpunuar me bashkatdhetarët Jordan Thompson dhe Chris O’Connell.

Me vendimin e fundit, Matosevic nuk do të lejohet të trajnojë asnjë lojtar profesionist deri më 15 mars 2030.