75 Mall Live Search
08:46 / E Martë, 07 Tetor 2025 / H F

Skandal në Harvard: Universiteti përballet me padi për trafik organesh nga morgu

Universiteti i famshëm Harvard është shpallur ligjërisht përgjegjës për një prej skandaleve më të rënda në historinë e tij, pasi një gjykatë amerikane vendosi se familjarët e të ndjerëve që kishin dhuruar trupat për kërkime shkencore mund ta padisin universitetin.

Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë të Massachusetts-it, Harvardi ka dështuar të sigurojë trajtim dinjitoz për trupat e dhuruar, të cilët u shpërndanë në tregun e zi nga ish-menaxheri i morgut, Cedric Lodge, i shkarkuar në vitin 2023.

Në vendimin gjyqësor, kreu i gjykatës, Scott L. Kafker, e cilëson rastin si një “skemë makabre shumëvjeçare”, ku Lodge ka vjedhur dhe shitur pjesë trupore si koka, trutë, kocka dhe lëkurë të të ndjerëve, të gjitha të dhuruara për shkencën mjekësore nga familje të besuara, transmeton Klankosova.tv.

Një prej rasteve më tronditëse përfshin shitjen e dy fytyrave të prera për vetëm 600 dollarë dhe blerjen e lëkurës njerëzore për ta kthyer në lëkurë të trajtuar artizanal, sipas dokumenteve të gjykatës.

Harvard po përballet me 12 padi të ndryshme nga 47 familjarë, të cilët e akuzojnë universitetin për neglizhencë të rëndë në administrimin e morgut dhe për shkelje etike, pasi nuk ka ndjekur protokollet e Shoqatës Amerikane të Anatomisë.

Harvardi kishte detyrim ligjor të garantonte trajtim të dinjitetshëm për trupat e dhuruar, dhe dështoi rëndë, ashtu siç vetë e ka pranuar, thuhet në vendimin e gjykatës.

Cedric Lodge ka pranuar fajësinë në maj 2025 për transport ndër-shtetëror të mbetjeve njerëzore të vjedhura. Ai përballet me deri në 10 vjet burgim dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh.

Universiteti i Harvardit e ka dënuar publikisht veprimin, duke e cilësuar si të neveritshëm dhe moralisht të papranueshëm.