75 Mall Live Search
22:40 / E Diele, 08 Qershor 2025 / FR

Skandal në QKMF Drenas – Infermieri monitoronte kamerat pa autorizim, ndërhyn Agjencia për Informim dhe Privatësi

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Dr. Hafir Shala” në Drenas është vënë në qendër të vëmendjes pas një vendimi të prerë të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e cila ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të përpunimit të të dhënave personale përmes kamerave të sigurisë të vendosura në këtë institucion.

Sipas një dokumenti të siguruar nga IndeksOnline, vendimi u mor pas një ankese të dorëzuar nga një qytetar, i cili pretendoi se infermieri D.Gj, në mënyrë të paautorizuar dhe në mënyrë të përsëritur, ka kryer monitorim të kamerave të sigurisë në ambientet e QKMF-së “Dr.Hafir Shala” në Drenas, për qëllime të verifikimit të hyrjeve dhe daljeve të stafit të kësaj qendre.

Pas zhvillimit të një inspektimi në terren më 16 maj, Agjencia konstatoi një sërë shkeljesh të rënda të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Sipas gjetjeve të inspektimit, QKMF “Dr. Hafir Shala” kishte vendosur kamera të vëzhgimit:

-Pa vendim të brendshëm ligjor;

-Pa caktuar ndonjë person përgjegjës për menaxhimin e sistemit;

-Pa dokumentim të arsyes ligjore për përpunimin e të dhënave;

-Pa zbatuar parimet e transparencës, proporcionalitetit dhe njoftimit të qytetarëve.

Madje, edhe pse në objekt ishin vendosur disa shenja njoftuese, ato nuk mjaftojnë në mungesë të bazës ligjore dhe procedurave të brendshme që kërkohen për sistemet e survejimit, shkruan IndeksOnline.

Me vendimin zyrtar nr. 109/2025, të nënshkruar më 2 qershor, Agjencia urdhëron që: QKMF-ja të ndalojë menjëherë përpunimin e të dhënave personale përmes kamerave.

Sistemi i kamerave të përshtatet me dispozitat ligjore të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (LMDhP). Brenda 15 ditësh, institucioni të ndërmarrë masa dhe të raportojë për zbatimin e vendimit.

Në dokumentin zyrtar theksohet se vendosja e kamerave në institucionin shëndetësor është bërë pa asnjë justifikim ligjor, duke shkelur direkt nenet 68, 69 dhe 71 të Ligjit për të Dhënat Personale. Agjencia e konsideron rastin si cenim të qartë të privatësisë së qytetarëve, për shkak se nuk është garantuar as mbrojtja, as transparenca dhe as përgjegjësia institucionale, shkruan IndeksOnline.

Agjencia për Informim dhe Privatësi u shpreh se rasti i QKMF-së në Drenas është shembull i shkeljes së të drejtave personale në sektorin publik, dhe paralajmëroi se nuk do të tolerojë raste të tilla në të ardhmen.

“Institucionet publike duhet të jenë shembull i zbatimit të ligjit, jo burim i cenimit të të drejtave të qytetarëve,” thuhet në fund të vendimit./IndeksOnline/